1 Mars 2026 18:15

Mexhiti e Hoxha në terren dhe të dielën

Edhe të dielën në terren: Kryetari i Komunës së Çairit me bashkëpunëtorë inspektojnë punimet në Dizhon

Edhe të dielën, Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti së bashku me Kryetarin e Keshillit të Komunës Muhamed Muretezin me bashkëpunëtorët e tij dhe ministrin Muhamet Hoxha, dolën në terren për të parë nga afër ecurinë e punimeve infrastrukturore në lagjen Dizhon. Gjatë inspektimit u theksua angazhimi i vazhdueshëm institucional për realizimin e projekteve kapitale që po e transformojnë këtë pjesë të komunës.

Në fokus të vizitës ishte projekti që përfshin 18 rrugë dhe që ndodhet në fazën përfundimtare të realizimit. Rrjeti i kanalizimit fekal tashmë është përfunduar plotësisht në të gjitha rrugët dhe degëzimet anësore, duke zgjidhur një problem shumëvjeçar për banorët e zonës. Ndërkohë, punimet në rrjetin e ri të ujësjellësit kanë arritur mbi 70 për qind dhe pritet të përfundojnë së shpejti, duke garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt për çdo shtëpi.

Gjatë qëndrimit në terren, u potencua edhe mbështetja dhe bashkëpunimi institucional në nivel qendror, përfshirë angazhimin e kryetarit Izet Mexhiti, në funksion të realizimit të projekteve strategjike për Çairin dhe zonat përreth.

Pas përfundimit të ujësjellësit do të realizohet pranimi teknik nga ndërmarrja publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, ndërsa faza e fundit do të jetë asfaltimi i të gjitha rrugëve të përfshira në projekt. Me përmbylljen e kësaj faze, Dizhoni do të marrë një pamje të re urbane dhe standard të ri jetese.