27 Shkurt 2026 00:21

Nga një kallëzim në tjetrin: Ish-kryetari Dehari në telashe të reja ligjore!

Ish-kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, përballet me një kallëzim të ri penal, duke thelluar edhe më tej listën e akuzave që rëndojnë mbi të. Sipas informacioneve nga SPB-Kërçovë, Dehari dyshohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare, duke dëmtuar buxhetin e komunës për mbi 1.4 milion denarë.

Nga policia bëjnë të ditur se, përveç Deharit, kallëzim penal është ngritur edhe ndaj dy personave fizikë dhe një personi juridik me seli në fshatin Llapkidoll. Sipas njoftimit zyrtar, ndonëse Komuna e Kërçovës ka ndërmarrje publike komunale, Dehari dyshohet se i ka besuar të gjitha veprimtaritë komunale një kompanie private, me qëllim përfitimi në dëm të buxhetit komunal.

Personi i dytë i kallëzuar, përgjegjës për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra, akuzohet për veprim të pakujdesshëm gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa personi i tretë – menaxher i kompanisë së angazhuar – dyshohet se ka shkelur me vetëdije procedurat për thirrje publike. Sipas policisë, shuma totale e paguar për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra rreth ndërtesës së komunës arrin në 1.457.205 denarë, mjete këto që konsiderohen si dëm për komunën.

Por kjo nuk është hera e parë që emri i Deharit përmendet në kallëzime penale. Ndaj tij tashmë ekzistojnë edhe tre kallëzime të tjera. Vitin e kaluar u ngritën dy kallëzime – një për keqpërdorim të detyrës zyrtare me dëm prej 64 mijë eurosh ndaj buxhetit komunal dhe një tjetër për rrezikim të mjedisit jetësor. Në janar të këtij viti, ai u përball edhe me një kallëzim tjetër penal për keqpërdorim të pozitës zyrtare, me dëm të pretenduar prej 130 mijë eurosh.

Të gjitha rastet janë aktualisht në procedurë parahetimore.

Me kallëzimin më të fundit, lista e akuzave ndaj ish-kryetarit vetëm sa po zgjatet, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e financave publike gjatë mandatit të tij.