Shkup, 23 shkurt 2026 – Ish zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, është arrestuar mëngjesin e sotëm në vendkalimin kufitar Bllacë, pasi ishte në arrati për më shumë se një vit.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në ora 06:10, Grubi është paraqitur në hyrje të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku ndaj tij ishte aktive masa “Arresto”. Ai është privuar menjëherë nga liria dhe është dërguar në mbajtje për veprime të mëtutjeshme procedurale.
“Më 23.02.2026 në ora 06:10 minuta në hyrje të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitar Bllacë u paraqit Artan Grubi, i lindur më 07.06.1977 me masën ‘Arresto’. Personi në fjalë është privuar nga liria për veprime të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Grubi kishte më shumë se një vit që i shmangej organeve të drejtësisë, ndërsa ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arrest për procedura të hapura hetimore. Arrestimi i tij i jep fund një periudhe të gjatë pasigurie rreth vendndodhjes së ish-zyrtarit të lartë qeveritar.
Deri në këto momente, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ish partia e tij, Bashkimi Demokratik për Integrim, lidhur me arrestimin e Grubit.
Pritet që gjatë ditës autoritetet të japin më shumë detaje mbi procedurat e mëtejshme ligjore ndaj tij.

