11 Shkurt 2026 23:31

Urimi i Mexhitit për Kurtin: Suksese në avancimin e shtetit dhe demokracisë

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka uruar formimin e Qeverisë Kurti 3, në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë moment si hyrje në një kapitull të ri për shtetin e Kosovës.

Përmes një mesazhi publik, Mexhiti i ka shprehur urime Kryeministrit të rizgjedhur, Albin Kurti, për vazhdimin e mandatit në krye të ekzekutivit kosovar.

“Miku im Albin, urime rizgjedhjen në detyrën e Kryeministrit të Kosovës! Të uroj suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja dhe në avancimin e mëtejmë të shtetit, demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar Mexhiti.

Ai u ka uruar gjithashtu qytetarëve të Kosovës formimin e qeverisë së re, duke shprehur besimin se ajo do të jetë në shërbim të zhvillimit, drejtësisë dhe integrimit euroatlantik.

Në mesazhin e tij, kryetari i Çairit ka uruar edhe Albulena Haxhiun për zgjedhjen në postin e Kryetares së Kuvendit të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e forcimit të rolit të grave në jetën demokratike të vendit.

“Bashkëpunimi ynë me institucionet e Kosovës ka qenë dhe mbetet i palëkundur. Do të vazhdojmë të qëndrojmë krah njëri-tjetrit në rrugën e përbashkët drejt progresit, stabilitetit dhe të ardhmes evropiane”, theksoi Mexhiti.

Urimi i tij vjen në një moment simbolik për Kosovën, teksa vendi shënon 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.