11 Shkurt 2026 04:29

Mickoski bën thirrje për ndaljen e debatit mes zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë për provimin në shqip

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se Komisioni i Venecias ka dhënë mendim negativ për përdorimin e gjuhës shqipe në dhënien e provimit të jurisprudencës, por ka theksuar se ekziston vullnet politik që kjo çështje të zgjidhet përmes ndryshimeve ligjore.

Mickoski tha se Kushtetuta është e qartë sa i përket përdorimit të gjuhëve zyrtare, duke sqaruar se përveç gjuhës maqedonase, si gjuhë zyrtare konsiderohet edhe gjuha e bashkësisë që përbën mbi 20 për qind të popullsisë, në këtë rast gjuha shqipe, por se përdorimi i saj në procedura të caktuara duhet të rregullohet me ligj.

“Ligji aktual nuk lejon që provimi i jurisprudencës të jepet në këtë formë. Nëse duam që kjo të ndodhë, duhet ta rregullojmë me ligj. Unë jam i gatshëm që kjo të bëhet dhe ligji të dërgohet në Komisionin e Venecias për vlerësim kushtetutshmërie”, deklaroi Mickoski.

Ai rikujtoi se edhe gjatë miratimit të Ligjit për Gjuhët, Komisioni i Venecias kishte dhënë mendim negativ për pjesën që lidhej me gjyqësorin, duke theksuar se çdo zgjidhje duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.

Në këtë kontekst, Mickoski bëri thirrje për ndaljen e debatit publik dhe përplasjes mes ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, dhe zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali, lidhur me kërkesën që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.

Ai tha se pret që debati mes dy zyrtarëve të përfundojë gjatë ditës së sotme dhe njoftoi se nesër do t’i ftojë të gjitha palët e përfshira në një takim, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje institucionale dhe ligjore.

“Ka vullnet politik që kjo çështje të zgjidhet, por jo përmes debateve publike. Duhet qasje institucionale dhe zgjidhje ligjore”, theksoi Mickoski.