7 Shkurt 2026 11:08

Trumpi thotë se nuk do të kërkojë falje për postimin videos raciste të çiftit Obama

Trumpi thotë se nuk do të kërkojë falje për postimin videos raciste të çiftit Obama

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se “nuk e pa” pjesën e një videoje në rrjetet sociale që tregonte një klip racist që i përshkruante Barack dhe Michelle Obaman si majmunë.

Klipi në të cilin dëgjohet kënga “The Lion Sleeps Tonight”  dhe shfaqet çifti Obama në trupin e majmunëve, ishte në fund të një videoje 62-sekondëshe që ai ndau, e cila përmbante pretendime për mashtrim votash në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Videoja u hoq më vonë.

Duke folur me gazetarët të premten, Trump tha “nuk bëra gabim”, kur u pyet nëse do të kërkonte falje.
Ai shtoi se kishte parë vetëm fillimin e videos përpara se të postohej nga një anëtar i stafit dhe nuk e dinte se përmbante atë përshkrim për çiftin Obama.

Senatori republikan Tim Scott e përshkroi atë si gjënë më raciste që ka parë nga kjo administratë.

Shtëpia e Bardhë fillimisht e mbrojti klipin si një “video virale interneti” dhe u tha kritikëve të ndalojnë reagimet e rreme.

Por pas reagimeve të ashpra, përfshirë ato nga disa senatorë republikanë, postimi u hoq nga llogaria Truth Social e Trumpit. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se një punonjës e kishte bërë “gabimisht” postimin.