7 Shkurt 2026 01:00

Suedi: Komuna propozon “orën e seksit” në punë për të shpëtuar demografinë

Suedia, e njohur si “laboratori i politikave sociale”, po thyen sërish kufijtë e imagjinatës politike. Në komunën Älvdalen, një propozim i pazakontë ka tronditur opinionin publik: punonjësit komunalë mund të lejohen të përdorin “orën e mirëqenies” (e paguar nga shteti) për intimitet vullnetar.

Deri më sot, kjo “orë mirëqenieje” (friskvårdstimme) shfrytëzohej për aktivitete si joga, ecja apo sporti. Mirëpo, nisma e re argumenton se nëse sporti përmirëson shëndetin, marrëdhëniet intime bëjnë të njëjtën gjë: ulin stresin dhe rritin mirëqenien mendore. Sipas propozimit, ky aktivitet do të jetë i ligjshëm gjatë orarit të punës nëse:

Është vullnetar dhe me pëlqim të ndërsjellë.

Nuk bie ndesh me mjedisin e punës apo ligjin.

Pritja e propozimit ishte sa surprizuese, aq edhe ironike. Këshilli komunal e kaloi nismën për shqyrtim pa asnjë kundërshtim zyrtar. Disa politikanë pranuan se votuan “pro” thjesht për t’i ikur sikletit në sallë.

“U ndjeva aq i turpëruar nga tema sa desha vetëm ta hiqja qafe si çështje,” u shpreh Christoffer Gyllenkall, një politikan socialdemokrat që tashmë është penduar për votën e tij.

Prapa kësaj ideje “qesharake” për shumëkënd, fshihet një problem serioz: Rënia dramatike e popullsisë. Komunat veriore të Suedisë po përballen me një krizë demografike dhe politikanët po tentojnë çdo metodë eksperimentale për të nxitur krijimin e familjeve të reja dhe rritjen e cilësisë së jetës.

Kritikët: “Shteti po hyn në dhomën e gjumit”
Reagimet në rrjetet sociale dhe media kanë qenë të ashpra. Analistët theksojnë se Institucionet nuk kanë mandat të subvencionojnë intimitetin. Problemi i demografisë kërkon zgjidhje ekonomike, jo eksperimente “simbolike” që ulin seriozitetin e shtetit.

Vendimi përfundimtar pritet të merret para verës, pasi të kryhen vlerësimet juridike. Suedia mbetet sërish në qendër të vëmendjes botërore, duke lënë të hapur pyetjen: Ku mbaron puna dhe ku fillon jeta private?