26 Janar 2026 04:42

Rregullat e reja në instagram dhe tiktok: a do të paguajnë taksë influencerët?

Rregullat e reja të prezantuara nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) për influencerët kanë ndezur një debat të ashpër në publik gjatë ditëve të fundit.

Krijuesit e përmbajtjeve digjitale kanë shprehur shqetësime serioze se detyrimi për regjistrim dhe pagesa e një kompensimi prej 0.5 për qind rrezikon lirinë e fjalës dhe barazon padrejtësisht punën e tyre me atë të mediave tradicionale. Për shumë prej tyre, është e papranueshme që shteti kërkon të përfitojë financiarisht nga përmbajtjet që ata i kanë krijuar vetë, pa asnjë mbështetje shtetërore.

Në dritën e kësaj vale reagimesh, pakënaqësish dhe akuzash, drejtori i ASHMAA-s, Zoran Trajčevski, ka sqaruar pozicionin e agjencisë. Ai thekson se bëhet fjalë për një kornizë ligjore që synon të sjellë më shumë siguri, jo censurë. Z. Trajčevski shpjegoi se ekzistojnë dy dokumente kyçe: “Rregullorja për personat fizikë ofrues të shërbimeve mediatike audio dhe audiovizuale me kërkesë” dhe “Udhëzuesi për influencerë, vlogerë dhe krijues të përmbajtjeve”. Ndërsa Rregullorja ka karakter normativ dhe përcakton kriteret kumulative për cilësimin si ofrues shërbimesh mediatike, Udhëzuesi shërben si një mjet shpjegues për zbatimin praktik të detyrimeve ligjore ekzistuese, veçanërisht në fushat si mbrojtja e të miturve, shënimi i reklamave dhe ndalimi i gjuhës së urrejtjes.

Agjencia thekson se Rregullorja është hartuar në bashkëpunim me ekspertë gjermanë dhe, çka është thelbësore, me përfshirjen e vetë influencerëve vendas. Këta të fundit kanë dhënë mendime dhe sugjerime, një pjesë e të cilave janë inkorporuar drejtpërdrejt, duke përfshirë edhe propozimin e tyre për uljen e pragut të ndjekësve nga 30,000 në 10,000. Përsa i përket kompensimit prej 0.5 për qind, Z. Trajčevski sqaroi se kjo nuk është një taksë e re e vendosur me akt nënligjor, por një detyrim ligjor i paraparë në nenin 142 të Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale që nga viti 2013. Ky detyrim, sipas tij, zbatohet gjerësisht për subjekte të tjera të rregulluara, si operatorët kabllorë dhe ofruesit e shërbimeve video me kërkesë, dhe nuk është ekskluzivisht i vënë mbi influencerët.

ASHMAA thekson se jo çdo person me 10,000 ndjekës apo më shumë i nënshtrohet detyrimit për regjistrim. Kjo vlen vetëm për ata që plotësojnë në mënyrë kumulative disa kritere: ofrojnë shërbime mediatike audiovizuale në platforma si YouTube, Instagram, TikTok; kanë mbi 10,000 ndjekës; realizojnë interes ekonomik nga shërbimi; kanë publikuar të paktën 24 përmbajtje në 12 muajt e fundit; dhe kanë qëllim informativ, edukativ, argëtues si dhe përgjegjësi redaktuese. Lidhur me mbikëqyrjen, Agjencia ka detyrim ligjor të kryejë monitorim programor dhe administrativ për respektimin e detyrimeve, duke përfshirë mbrojtjen e të miturve, rregullat e reklamimit dhe ndalimin e gjuhës së urrejtjes. Në rast të mosregjistrimit, sanksionimi është gradual, duke filluar me vërejtje publike dhe më pas procedurë kundërvajtëse me gjoba nga 250 deri në 500 euro, me qëllim harmonizimin dhe krijimin e një tregu digjital të rregulluar dhe transparent.