Është paradoksale, por edhe alarmante, që sot po shohim përpjekje për t’i rishkruar rolet historike të luftës çlirimtare në Kosovë. Aq shumë është larguar PDK nga narrativi i vet themelor, sa që sot edhe LDK po tenton ta përvetësojë UÇK-në. Kjo nuk është thjesht një debat politik; është çështje identiteti dhe e vërtete historike.
Nga Valon Kryeziu – ish kryetar i degës së PDK-së në Suedi i dorëhequr pas rezultatit të 28 dhjetorit
Të largohesh nga themeli do të thotë të heqësh dorë nga vetvetja. Dhe pikërisht kjo po i ndodh PDK-së: duke mos e artikuluar qartë origjinën e saj politike dhe historike, po ua lë hapësirën të tjerëve ta deformojnë atë histori.
Por faktet historike janë të qarta.
UÇK nuk ka lindur si projekt institucional, e as si vazhdim i rezistencës paqësore. Ajo është formuar në fillim të viteve ’90 nga struktura ilegale të organizuara shumë më herët, kryesisht të dala nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), me veprimtari të gjatë politike dhe ushtarake në ilegalitet. Këto struktura nuk kishin lidhje organizative me LDK-në si parti, e cila në atë kohë ndiqte strategjinë e rezistencës paqësore dhe distancohej publikisht nga lufta e armatosur.
Figurat kyçe të UÇK-së – nga organizatorët e parë, te komandantët e zonave dhe drejtuesit politikë të luftës – janë po ata njerëz që pas luftës u bënë themeluesit dhe shtylla kryesore e PDK-së. Kjo nuk është çështje interpretimi, por fakt i dokumentuar në biografitë politike, në arkiva, në dëshmi ndërkombëtare dhe në historinë e vet luftës.
LDK dhe lufta e lavdishme e UÇK-SË nuk përkojnë.
LDK ka pasur rolin e vet historik në periudhën e rezistencës paqësore dhe në mbajtjen gjallë të institucioneve paralele. Ky rol nuk mohohet. Por është fakt se UÇK fillimisht u kundërshtua, u minimizua dhe u konsiderua e dëmshme për kauzën nga figura të njohura të elitës së LDK-së.
Është e vërtetë se anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së iu bashkuan UÇK-së më vonë, por kjo ndodhi kryesisht kur lufta tashmë ishte shtrirë gjithandej dhe legjitimuar ndërkombëtarisht. Kjo është një e vërtetë historike, jo fyerje politike.
Andaj, pretendimi se UÇK ka qenë projekt i LDK-së, apo se i përket asaj politikisht, nuk qëndron. Bashkimi individual nuk e ndryshon kurrë origjinën kolektive.
Për fat të mirë, sot ende jetojnë dhe veprojnë politikisht njerëz që kanë qenë pjesë e themelimit të UÇK-së dhe që sot akoma mbajnë pozita të ndryshme në instancat e PDK-së. Jan pikërisht ata që kanë përgjegjësinë morale dhe historike të flasin. Jo për lavdi personale, por për të mbrojtur të vërtetën.
Nëse PDK hesht për origjinën e vet, atëherë nuk duhet të habitet kur të tjerët e rishkruajnë historinë.
Pra, UÇK nuk ka qenë kurrë e LDK-së si projekt politik. Ajo ka qenë produkt i një rryme tjetër ideologjike, organizative dhe vepruese – rrymë nga e cila lindi edhe vetë PDK-ja.
Gjërat duhet thënë troç dhe drejt.
Historia nuk ka nevojë për zbukurime, por për guxim për ta thënë të vërtetën. Dhe e vërteta është kjo: UÇK ka pasur adresë politike dhe ajo adresë nuk ka qenë LDK-ja.
V.K
23.01.2026

