18 Janar 2026 17:04

Dauti: Një njësi zgjedhore dëmton barazinë reale të shqiptarëve

Deputetja e ASH-së, Ilire Dauti, vlerëson se çdo zgjidhje që nuk garanton barazi reale, por u ofron palëve vetëm një ndjenjë të rreme sigurie politike, është në thelb e padrejtë.

Sipas Dautit, kërkesa e shqiptarëve për barazi nuk duhet dhe nuk mund të arsyetohet apo relativizohet. Modeli me një njësi zgjedhore jo vetëm që ul përfaqësimin real të shqiptarëve, por njëkohësisht e fuqizon logjikën unitare të shtetit, duke e bërë atë të pranueshme si diskurs politik dominant. Ajo rikujton se pas vitit 2001, Maqedonia e Veriut nuk mund të trajtohet më si një shtet unitar klasik, por si një shtet i ndërtuar mbi mekanizma konsensualë dhe mbi njohjen e të drejtave kolektive etnike, pavarësisht nivelit të zbatimit të tyre në praktikë.

Në këtë kontekst, Dauti nënvizon se unitarizmi si koncept përjashtues duhet refuzuar, ndërsa zgjidhjet që mohojnë realitetin shumetnik të shtetit – siç është insistimi i partive maqedone për një njësi të vetme zgjedhore – nuk janë të pranueshme.

Dauti thekson se modeli me tetë njësi zgjedhore, në përputhje me rajonet zhvillimore, përfaqëson zgjidhjen më të përshtatshme për Maqedoninë e Veriut, veçanërisht nëse shoqërohet me lista të hapura, të cilat rrisin përfaqësimin dhe demokracinë zgjedhore.