Shorti për dy gjysmëfinalet e Eurovision 2026 u hodh dje në Vjenë, duke konfirmuar pjesëmarrjen e Izraelit mes 15 vendeve që do të garojnë për një vend në finale, pavarësisht kundërshtimeve dhe bojkotit të shpallur nga disa shtete evropiane.
Izraeli do të paraqitet në gjysmëfinalen e parë më 12 maj, së bashku me Greqinë, Belgjikën, Suedinë, Kroacinë dhe vende të tjera. Ndërkohë, Danimarka, Rumania, Zvicra dhe Norvegjia janë pjesë e gjysmëfinales së dytë. Si zakonisht, Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe dhe Austria si vend pritës kualifikohen automatikisht për në finale.
Edicioni i sivjetëm sjell edhe ndryshime të rëndësishme në rregullat e votimit. Në gjysmëfinale do të rikthehet balanca afërsisht 50-50 mes votës së jurisë dhe asaj të publikut, duke reduktuar ndikimin e audiencës krahasuar me vitet e fundit. Juritë profesionale do të përcaktojnë, së bashku me publikun, 10 finalistët nga secila gjysmëfinale. Po ashtu, çdo shikues do të ketë të drejtë të hedhë maksimumi 10 vota, nga 20 sa ishte kufiri më parë. Këto rregulla do të vlejnë edhe për finalen.
Konkursi i 70-të i Këngës Eurovision zhvillohet këtë vit në Vjenë, por prej muajsh është dominuar nga debati për pjesëmarrjen e Izraelit, në kontekstin e ofensivës së tij ushtarake dyvjeçare në Rripin e Gazës. Në shenjë proteste, Spanja, Irlanda, Islanda, Holanda dhe Sllovenia kanë njoftuar bojkotin e edicionit 2026.
Në total, 35 vende pritet të konfirmojnë pjesëmarrjen në javët në vijim. Ndërkohë, shitja e rreth 90 mijë biletave për të gjithë javën e festivalit ka filluar, më 13 janar.
Këtë vit, Vjena e pret Eurovisionin për herë të tretë. Konkursi u themelua pas Luftës së Dytë Botërore me synimin për të nxitur konkurrencën artistike dhe mirëkuptimin kulturor mes kombeve evropiane.

