20 Janar 2026 15:01

Kasami: Takim konstruktiv i liderëve, dialog për reformat dhe shfuqizimin e qeverisë teknike

Kryetari i Komunës së Tetovës dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, njoftoi se në takimin e sotëm me liderët e partive parlamentare dhe kryeministrin është zhvilluar një diskutim konstruktiv, i cili paraqet pikënisje për dialog politik.

Në një postim në rrjetet sociale, Kasami bëri të ditur se në takim është diskutuar për shfuqizimin e Qeverisë teknike, ndërsa në emër të VLEN-it ka ofruar një zgjidhje kompromisi, sipas së cilës Qeveria teknike do të shfuqizohej pas mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme.

Ai theksoi se ka ngritur edhe çështjen e gjetjes së mekanizmave për rritjen e pjesëmarrjes së diasporës në procesin zgjedhor.

Kasami gjithashtu u bëri thirrje partive opozitare për më shumë konstruktivitet në votimin e ligjeve reformuese, zgjedhjen e Avokatit të Popullit, si dhe ligjeve të tjera që kërkojnë shumicë të dyfishtë ose shumicë prej dy të tretash.

“Pres që opozita të reflektojë dhe të mos i bllokojë reformat dhe proceset që janë në të mirën e qytetarëve”, theksoi Kasami.