21 Janar 2026 13:27

Përgjigjja e SHBA-së ndaj Iranit: Cilat janë opsionet në tryezë?

Ndërsa vala e shtypjes vdekjeprurëse ndaj protestuesve ka kapluar qytetet iraniane, Uashingtoni duket se ka rikthyer në agjendën e tij opsionet ushtarake kundër Teheranit.

Sipas raporteve të pakonfirmuara, mbi 500 njerëz janë vrarë gjatë kësaj shtypjeje të egër, megjithëse disa grupe për të drejtat e njeriut sugjerojnë se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

Këto protesta të javëve të fundit janë shndërruar në një nga sfidat më domethënëse ndaj sundimit klerikal që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979. Fillimisht të nxitura nga inflacioni i lartë dhe rënia e shpejtë e monedhës kombëtare, demonstratat shpejt evoluan në një pakënaqësi më të gjerë kundër autoriteteve të vendit. Në këtë sfond tensionesh, si Uashingtoni, ashtu edhe Teherani kanë sinjalizuar një farë gatishmërie për bisedime. Megjithatë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se SHBA-ja mund të ndërmarrë veprime pavarësisht bisedimeve, duke cituar raportet për brutalitet kundër protestuesve.

Më 11 janar, ai deklaroi se ndonëse një takim po organizohet, mund të jetë e nevojshme të veprohet për shkak të zhvillimeve para takimit. Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, më 12 janar theksoi se Republika Islamike nuk kërkon luftë, por është plotësisht e përgatitur për të. Nëse diplomacia dështon, cilat janë atëherë opsionet ushtarake në dispozicion të Uashingtonit? Një strategji e mundshme përfshin sulme të kufizuara ndaj objektivave simbolike.

Avantazhet e kësaj qasjeje do të ishin rreziku më i vogël për forcat e armatosura amerikane dhe minimizimi i dëmeve ndaj civilëve. Këto operacione mund të kryheshin me lehtësi brenda kapaciteteve ushtarake ekzistuese të SHBA-së në rajon dhe përtej tij, madje teorikisht edhe pa përfshirjen e aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik. Megjithatë, kjo opsion ka dhe disa mangësi thelbësore. Analistët vënë në dukje se ai mund t’i mundësojë regjimit iranian të mobilizojë mbështetjen patriotike dhe të shmangë vëmendjen nga shkaqet e vërteta të pakënaqësisë mbarëkombëtare, duke shkaktuar njëkohësisht pak dëme reale.

Gjithashtu, mund të dërgojë një mesazh të gabuar te protestuesit, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni nuk po u vjen në ndihmë ndërsa ata vriten dhe arrestohen nga forcat iraniane të sigurisë. Shembuj të objektivave të tillë do të ishin kazermat e policisë, strukturat e paramilitarëve Basij ose ato të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Një opsion tjetër do të ishte një fushatë më e qëndrueshme dhe e koordinuar sulmesh kundër Gardës Revolucionare Islamike, e cila do të mund të kishte një ndikim më të madh, veçanërisht nëse zgjerohej për të përfshirë objekte raketore iraniane, qendrat e komandës dhe kontrollit, si dhe forcat e tjera të sigurisë.

Megjithatë, kjo strategji përballet me sfida të rëndësishme logjistike dhe politike. Aktualisht, forcat detare amerikane nuk janë të pranishme në rajon me numrin dhe kapacitetin e duhur. Për shembull, aeroplanmbajtësja më e afërt, USS Abraham Lincoln, ndodhet në Detin e Kinës Jugore dhe do t’i duheshin disa ditë lundrimi për të mbërritur në Gjirin Persik. Për më tepër, edhe pse forcat amerikane kanë baza ushtarake në vende si Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, raportohet se këto vende i kanë kërkuar Uashingtonit të mos ndërmarrë veprime ushtarake nga territori i tyre.

Kjo vjen nga shqetësimi i përbashkët për kundërsulme të mundshme iraniane, siç dëshmoi një sulm raketor iranian ndaj një baze ajrore në Katar gjatë konfliktit 12-ditor ku Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara goditën programin bërthamor të Iranit.