18 Janar 2026 02:46

Kodi penal mbetet pa vendim për debat publik

Mazhoranca parlamentare ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar lidhur me organizimin e një debati publik në Kuvend, me pjesëmarrjen e ekspertëve, për ndryshimet e propozuara të Kodit Penal.

Megjithëse një ditë më parë ishte perceptuar një pajtueshmëri, madje edhe nga qeveria, për kërkesën e LSDM-së për një diskutim të tillë, deri më tani nuk është lëshuar asnjë njoftim zyrtar për një vendim konkret.

Në lidhje me këtë çështje, koalicioni VLEN shpreh bindjen se një debat i plotë duhet të zhvillohet për Kodin e ri Penal, i cili është në fazë përgatitje e pritet të prezantohet së shpejti. Bekim Qoku, koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it, theksoi se ndryshimet aktuale të Kodit Penal janë një përpjekje për të korrigjuar modifikimet e qershorit 2023, të cilat, sipas tij, ishin krejtësisht të dështuara dhe me pasoja të rënda. Ai kujtoi se ndryshimet e shtatorit 2023 nga qeveria e BDI-së u bënë me qëllim shpëtimin e figurave si Sasho Mijallkov, Nikola Gruevski dhe Ramiz Merko, ku ky i fundit pa t’i vjetërsoheshin një pjesë e madhe e aktpadive. Zoti Qoku shtoi se aktualisht nuk ka nevojë për debate të tilla, pasi pritet që në maj ose qershor të vitit në vijim të kemi një Kod të ri penal, çka do të ishte momenti i duhur për një debat publik të gjerë.

Ndryshimet e propozuara të Kodit Penal, të cilat tashmë gjenden në Kuvend, synojnë rikthimin e dispozitave të shfuqizuara më shumë se dy vite më parë. Këto dispozita kishin lehtësuar ose shfuqizuar dënimet për personat zyrtarë në rastet e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke mundësuar vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore dhe duke ngritur shqetësime serioze mbi integritetin e sistemit të drejtësisë.

Në vitin 2023, ligjvënësi ndërhyri në nenin 353 të Kodit Penal, që mbulon veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar”. Kjo ndërhyrje konsistoi në fshirjen e një prej tre veprimeve kryesore të kryerjes së këtij krimi: atë të kryerjes së krimit duke përfituar nga pozicioni ose autoriteti zyrtar. Me këtë modifikim, aktualisht mbeten vetëm dy veprime të cilat përbëjnë veprën penale të sipërpërmendur: nëse një person zyrtar “do të ndërmarrë një veprim zyrtar me të cilin do të tejkalojë kufijtë e autoritetit të tij zyrtar ose nuk do të kryejë detyrën e tij zyrtare”.

Sipas propozuesit, qëllimi i ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore të propozuara tani është përmirësimi i dispozitave mbi personat juridikë dhe shtrëngimi i politikës penale, duke rritur dënimet ekzistuese të përcaktuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” sipas nenit 353, dhe “Bashkim kriminal” sipas nenit 394. Këto ndryshime janë gjithashtu një kërkesë e pakompromis e Komisionit Evropian, si një pikë kyçe në Agjendën e Reformave, duke theksuar rëndësinë e tyre strategjike për integrimin evropian të vendit.