17 Janar 2026 01:32

Zyrtare: Reali emëron trajnerin e ri Alvaro Arbeloan

Real Madridi ka vendosur të shkarkojë gjatë ditës së sotme trajnerin Xabi Alonso, pas rezultateve zhgënjyese dhe humbjes ndaj Barcelonës në Superkupë, e cila rezultoi vendimtare për të ardhmen e teknikut spanjoll në stolin madrilen.

Klubi ka reaguar menjëherë duke emëruar pasardhësin e tij, ndërsa drejtimin e skuadrës e ka marrë Álvaro Arbeloa, ish-futbollist i njohur i Real Madridit dhe aktualisht pjesë e strukturave teknike të klubit.

Álvaro Arbeloa ka lindur më 17 janar 1983 në Salamanca të Spanjës dhe njihet gjerësisht për karrierën e tij të suksesshme si lojtar te Real Madridi dhe përfaqësuesja spanjolle. Gjatë karrierës aktive, ai ka luajtur si mbrojtës i djathtë, por edhe në krahun e majtë të mbrojtjes, duke u dalluar për disiplinë taktike dhe korrektësi në lojë.

Në nivel klubesh, Arbeloa ishte pjesë e Real Madridit nga viti 2009 deri në 2016, periudhë në të cilën u konsiderua një nga mbrojtësit më të besueshëm të skuadrës. Më herët ai ka luajtur për Liverpoolin, si dhe për Deportivo La Coruña dhe West Ham United. Me fanellën e Real Madridit ai ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve, një titull të La Ligës dhe dy Kupa të Mbretit.

Me përfaqësuesen e Spanjës, Arbeloa ka qenë pjesë e brezit të artë që fitoi Kupën e Botës në vitin 2010, si dhe Kampionatin Evropian në vitet 2008 dhe 2012.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Arbeloa iu përkushtua trajningut dhe ka drejtuar ekipet e moshave të reja të Real Madridit, përfshirë skuadrën Juvenil A. Ai vlerësohet si një trajner me perspektivë dhe i lidhur ngushtë me vlerat dhe filozofinë e klubit madrilen, ndërsa tani përballet me sfidën e madhe të drejtimit të ekipit të parë.