Lidhjet e thella të grupeve të organizuara kriminale nga Ballkani me trafikun ndërkombëtar të kokainës shtrihen deri në Venezuelë, një fakt i dëshmuar nga një sërë sekuestrimesh, arrestimesh dhe procedurash gjyqësore të përfunduara ose në zhvillim e sipër. Këto rrjete, të cilësuara nga organizata prestigjioze si EUROPOL dhe INTERPOL si aktorë thelbësorë në kontrabandën e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës, nënvizojnë shtrirjen globale të operacioneve të tyre dhe kapacitetin për të ndërtuar lidhje transkontinentale.
Venezuela ka dalë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare si një korridor strategjik kyç për trafikun e kokainës, sidomos pas arrestimit të ish-udhëheqësit Nicolas Maduro nga forcat e Shteteve të Bashkuara në fillim të janarit. Maduro përballet me akuza të rënda në SHBA për mbikëqyrjen e një rrjeti të gjerë të tregtisë së kokainës, në bashkëpunim me grupe të dhunshme si kartelet meksikane Sinaloa dhe Zetas, rebelët kolumbianë të FARC-ut dhe bandën venezuelase Tren de Aragua, akuza të cilat ai i ka mohuar. Megjithatë, Sasha Gjorgjeviq nga Nisma Globale për Luftimin e Organizatave Kriminale Transnacionale (GI-TOC), thekson se pavarësisht këtyre zhvillimeve, ndikimi mbi grupet kriminale ballkanase mund të jetë i kufizuar. Fleksibiliteti i këtyre grupeve do t’i shtyjë ato të gjejnë rrugë alternative, duke pasur parasysh se vendet si Kolumbia, Brazili dhe së fundmi Ekuadori, mbeten pika shumë më thelbësore për origjinën e trafikut të kokainës.
Prezenca e grupeve kriminale ballkanase në këtë aks kontrabande është zbuluar përmes operacioneve konkrete. Një rast domethënës është sekuestrimi i pesë tonë kokainë pranë bregut të Arubës, afër Venezuelës, në shkurt të vitit 2020. Anija ‘Aressa’, e cila kishte ankorohet më parë në portin venezuelas të Guaranos, u ndalua nga marina holandeze, duke çuar në arrestimin dhe dënimin e 11 shtetasve malazezë, anëtarë të ekuipazhit. EUROPOL-i e lidhi këtë ngarkesë me Mirosllav Starçeviq, një shtetas serb, i cili u arrestua në maj të vitit 2023 bashkë me dymbëdhjetë persona të tjerë, të akuzuar nga autoritetet serbe për trafik ndërkombëtar droge. Policia serbe e ka identifikuar Starçeviqin si liderin kryesor të ‘organizatës më të madhe kriminale për trafikim droge nga Ballkani’, përgjegjës për dërgesa të shumta tonësh kokainë drejt Evropës nga Kolumbia, Brazili, Ekuadori, dhe përmes Afrikës Perëndimore. Grupi i tij është gjithashtu i lidhur me klanin Kavaç nga Mali i Zi, një nga dy klanet kryesore të armatosura, rivaliteti i të cilave ka shkaktuar mbi 60 viktima që nga viti 2014.
Ajo që e bën Venezuelën veçanërisht tërheqëse për trafikantët është shfrytëzimi i gjerë i transportit detar dhe ajror, veçanërisht avionëve të vegjël, të cilët janë më pak të monitoruar se fluturimet komerciale. Edhe pse Venezuela nuk prodhon kokainë, ajo konsiderohet një nga shtetet kryesore transit për substancën e prodhuar kryesisht në Kolumbi. Për më tepër, raportet e Indeksit Global për Krimin tregojnë prova të forta të përfshirjes së aparatit shtetëror venezuelas në aktivitete kriminale. Sipas këtyre raporteve të publikuara nga GI-TOC, grupet guerile kolumbiane menaxhojnë zinxhirët e furnizimit në bashkëpunim të ngushtë me zyrtarë të korruptuar venezuelas. Kjo marrëdhënie simbiotike jo vetëm që lehtëson operacionet e paligjshme, por gjithashtu u mundëson grupeve kriminale të integrohen në komunitetet lokale, duke manipuluar të rinjtë dhe duke kontrolluar sistemet e drejtësisë e strukturat e qeverisjes në rajonet kufitare, duke rezultuar në dhunë minimale por kontroll të konsiderueshëm.

