18 Janar 2026 02:40

BDI mban mbledhjen e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, nesër vendimi për takimin e liderëve

Bashkimi Demokratik për Integrim ka njoftuar se kryetari i partisë, Ali Ahmeti, ka konvokuar sot mbledhjen e dytë të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, ku janë diskutuar zhvillimet aktuale politike në vend dhe çështje që lidhen me organizimin e brendshëm dhe funksionimin e strukturave partiake.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e Kryesisë kanë diskutuar edhe për takimin e paralajmëruar të liderëve politikë. Me këtë rast, është vendosur që çështja e pjesëmarrjes së BDI-së në këtë takim të shqyrtohet dhe të merret vendim përfundimtar në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Përgjithshëm, e cila do të mbahet nesër.

Kryetari Ahmeti ka informuar Kryesinë edhe për emërimet e reja në kuadër të pakos së tretë të kryetarëve të degëve të BDI-së. Sipas vendimit, Arlind Sejdini është emëruar kryetar i degës në Kërçovë, Evzal Arsllani në Vrapçisht, Arjan Muedini në Prespë dhe Hamza Jashari në Karposh.

Nga BDI theksojnë se partia mbetet e përkushtuar në forcimin e strukturave të saj organizative dhe në adresimin me përgjegjësi të zhvillimeve politike, duke vepruar në interes të qytetarëve dhe të stabilitetit politik të vendit.