Në komunat Gostivar, Mavrovë-Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë sot po mbahen zgjedhje të përsëritura për kryetar komune, pasi raundi i parë i zgjedhjeve lokale më 19 tetor të vitit të kaluar dështoi për shkak të pjesëmarrjes nën pragun ligjor prej 33,33 për qind të votuesve të regjistruar.
Sipas Kodit Zgjedhor, në votimin e përsëritur kryetari i komunës zgjidhet nëse njëri nga kandidatët merr më shumë se gjysmën e votave të qytetarëve që marrin pjesë në votim.
Votimi ka nisur në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 19:00. Votuesit identifikohen me dokumente personale të vlefshme – letërnjoftim ose pasaportë – ndërsa identiteti i tyre verifikohet edhe përmes pajisjeve biometrike.
Në Gostivar, votimi zhvillohet në 120 vendvotime, me gjithsej 82.870 qytetarë të regjistruar në Listën e Zgjedhësve. Prej tyre, 78.185 janë banorë të përhershëm të komunës, ndërsa 4.604 janë të regjistruar në listën e posaçme për shtetasit që jetojnë jashtë vendit.
Në Mavrovë-Rostushë janë hapur 40 vendvotime, ndërsa në Listën e Zgjedhësve figurojnë 10.575 votues, prej të cilëve 9.622 janë banorë të komunës dhe 951 janë jashtë vendit.
Në Vrapçisht, të drejtën e votës e kanë 27.279 qytetarë, të cilët votojnë në 39 qendra votimi. Nga ky numër, 26.318 janë banorë të përhershëm, ndërsa 950 janë të regjistruar në regjistrin e posaçëm për votuesit jashtë vendit.
Në Qendër Zhupë, votimi zhvillohet në 16 qendra votimi, me 7.562 votues të regjistruar në Listën e Zgjedhësve. Prej tyre, 6.305 janë në komunë dhe 1.257 janë të regjistruar për votim nga jashtë vendit.
Një ditë më parë, votuan personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, si dhe të burgosurit në këto komuna.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) do të informojë publikun gjatë ditës për rrjedhën e votimit dhe pjesëmarrjen e votuesve përmes konferencave për shtyp dhe njoftimeve zyrtare. Rezultatet fillestare pritet të publikohen pasi të dorëzohen procesverbalet nga komisionet komunale zgjedhore.
Në raundin e parë të zgjedhjeve, më 19 tetor, pjesëmarrja në këto komuna ishte nën pragun e kërkuar ligjor: në Gostivar 33,31 për qind, në Vrapçisht 25,18 për qind, në Mavrovë-Rostushë 30,31 për qind dhe në Qendër Zhupë 21,49 për qind.

