17 Janar 2026 17:29

Demiri pas humbjes në Vrapçisht: Populli ka të drejtë edhe kur merr vendim të gabuar

Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, i përkrahur nga koalicioni VLEN, Zulhajrat Demiri, ka reaguar pas humbjes në zgjedhjet e përsëritura lokale, duke theksuar se vullneti i qytetarëve duhet respektuar, edhe kur vendimi i tyre nuk përputhet me pritshmëritë personale apo politike.

Demiri falënderoi publikisht aktivistët dhe qytetarët që e mbështetën gjatë fushatës, duke nënvizuar se angazhimi i tij ndaj bashkëqytetarëve nuk përfundon me procesin zgjedhor. Ai deklaroi se dashuria dhe përgjegjësia ndaj Vrapçishtit do të vazhdojnë, pavarësisht rezultatit final.

“Populli ka drejtë edhe nëse merr vendim të gabuar. Ia uroj kundërkandidatit fitoren dhe e respektoj vendimin e sovranit”, u shpreh Demiri, duke pranuar zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve.

Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Demiri mori 3.135 vota, ndërsa kandidati i AKI-së, Isen Shabani, fitoi me 5.414 vota.

Zgjedhjet e përsëritura për kryetar komunash u mbajtën në katër komuna: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë, si dhe Qendër Zhupë. Ato u organizuan pasi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të tetorit 2025 nuk u arrit pragu i daljes prej 33.33 për qind të votuesve. Në raundin e përsëritur, ky prag nuk ishte i detyrueshëm.