Autoritetet e Minesotës nuk do të lejohen të hetojnë rastin e të shtënave fatale ku një grua u vra nga një agjent i Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE).
Hetimi do të drejtohet ekskluzivisht nga FBI-ja, vendim që ka ngjallur reagime të forta politike dhe publike.
Fillimisht ishte paraparë që Byroja e Hetimeve Kriminale e Minesotës (BCA) ta hetonte rastin në bashkëpunim me FBI-në. Megjithatë, vetëm disa orë më vonë, BCA u njoftua se ishte përjashtuar plotësisht nga procesi hetimor.
“Hetimi tani do të drejtohet vetëm nga FBI-ja dhe BCA-ja nuk do të ketë më qasje në materialet e çështjes, provat nga vendi i ngjarjes apo mundësinë për të zhvilluar intervista, të cilat janë thelbësore për një hetim të plotë dhe të pavarur”, deklaroi drejtori i BCA-së, Drew Evans. Si pasojë, institucioni vendosi “me ngurrim” të tërhiqet nga hetimi.
Vendimi ka shkaktuar shqetësim të madh te zyrtarët shtetërorë. Prokurori i Përgjithshëm i Minesotës, Keith Ellison, e cilësoi situatën si “thellësisht shqetësuese dhe jashtëzakonisht zhgënjyese”.
“Pyetja ime është: nga çfarë keni frikë? Pse keni frikë nga një hetim i pavarur?”, deklaroi Ellison për CNN.
Ngjarja ka polarizuar opinionin publik në Shtetet e Bashkuara. Administrata e ish-presidentit Donald Trump mbron veprimet e agjentit të ICE-së, duke pretenduar se ai ka vepruar në vetëmbrojtje, pasi viktima dyshohet se ka tentuar ta godasë me makinë agjenten.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, deklaroi se viktima kishte “ngacmuar policinë” dhe kishte penguar operacionin e tyre. Në anën tjetër, kritikët i hedhin poshtë këto pretendime, duke argumentuar se nuk ka prova që 37-vjeçarja Renee Nicole Good të ketë qenë e dhunshme dhe se rasti mund të cilësohet si vrasje.
Renee Nicole Good, nënë e tre fëmijëve nga Minneapolis, ishte autore dhe poete, sipas përshkrimeve në rrjetet sociale. Ish-bashkëshorti i saj tha për Associated Press se ajo sapo kishte çuar djalin e saj 6-vjeçar në shkollë, kur gjatë kthimit në shtëpi u përball me agjentët e ICE-së në një rrugë të mbuluar me borë. Ai theksoi se ajo nuk ishte aktiviste dhe nuk kishte marrë pjesë në protesta.
Ndërkohë, agjenti i ICE-së i përfshirë në incident ka mbi 10 vjet përvojë në njësinë e operacioneve speciale të agjencisë.
Pas të shtënave, në Minneapolis shpërthyen protesta të mëdha. Qindra qytetarë dolën në rrugë duke kërkuar largimin e ICE-së nga qyteti. Protestat u shoqëruan me përplasje mes demonstruesve dhe agjentëve federalë, ku të paktën një person u arrestua.
Shefi i Policisë së Minneapolis, Brian O’Hara, deklaroi se incidenti ishte “plotësisht i parashikueshëm”, duke theksuar se tensionet mes agjentëve federalë dhe civilëve ishin rritur ndjeshëm javët e fundit dhe se ekzistonte frika reale për pasoja të rënda.
Ngjarja vazhdon të mbetet në qendër të debatit publik, ndërsa kërkesat për transparencë dhe hetim të pavarur po shtohen./ Lekë Gashi /Identiteti

