18 Janar 2026 00:39

Astrit Iseni: Rituali fetar në MPB shkel parimin e shtetit laik

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar pas ngjarjes ku një zyrtar fetar spërkati me ujë të shenjtë automjete dhe objekte zyrtare të MPB-së në parkingun e ministrisë.

Iseni tha se veprimi nuk përbën akt besimi privat, por shkelje të drejtpërdrejtë të parimit të shtetit laik dhe ligjit, duke theksuar se ai nuk përfaqëson institucionin e MPB-së dhe tregon mungesë të vetëdijes profesionale te disa pjesëtarë të policisë.

Sipas tij, Kushtetuta (neni 19) dhe Ligji për Policinë obligojnë institucionin të ruajë neutralitet të plotë dhe të shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim feje. “Hapësirat dhe mjetet zyrtare nuk janë pronë e asnjë besimi fetar dhe nuk guxojnë të përdoren për rituale fetare”, theksoi Iseni.

Ai paralajmëroi se të gjithë ata që kanë organizuar, lejuar apo nuk kanë parandaluar këtë veprim do të thirren në përgjegjësi. “Respekti për fenë është i domosdoshëm, por përzierja e fesë me institucionet e sigurisë është e papranueshme dhe e rrezikshme. Shteti është laik, policia është e qytetarëve dhe ligji është mbi çdo simbol fetar”, përfundoi Iseni.