18 Janar 2026 00:44

Droni i Reuters-it tregon gjendjen e rëndë nga përmbytjet në Drenas

Reshjet e dendura dhe të vazhdueshme të shiut, të cilat nisën mbrëmë në mbarë vendin, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe vërshime të përhapura në disa rajone.

Qytetet si Drenasi, Gjakova, Rahoveci, Malisheva dhe Klina janë ndër zonat më të goditura, ku dhjetëra shtëpi dhe prona të tjera janë përfshirë nga uji, sipas raportimeve të mediave lokale.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka konfirmuar shfaqjen e vërshimeve lokale, sidomos në pjesën perëndimore të vendit, duke përfshirë Gjakovën, Junikun, Deçanin, Malishevën, Rahovecin dhe Klinën, si dhe në zona të caktuara të rajonit qendror. Si pasojë e intensitetit të reshjeve, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre, duke rënduar më tej situatën hidrologjike.

IHMK ka paralajmëruar se reshjet, me intensitete dhe intervale të ndryshme, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. Kjo situatë mund të çojë në shfaqjen e vërshimeve të reja lokale, të shkaktojë probleme në sistemet e komunikacionit dhe kanalizimit, si dhe të krijojë vështirësi shtesë në trafik. Aktualisht, lumenjtë kryesorë të vendit, veçanërisht ata në pjesët qendrore, lindore dhe jugore, përfshirë Iberin, Sitnicën, Lepencin dhe Moravën e Binçës, kanë regjistruar një ngritje të lehtë të nivelit të ujit.

Për të ilustruar shkallën e dëmeve, agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka realizuar incizime ajrore me dron. Pamjet e publikuara tregojnë qartë shtëpi, automjete dhe sipërfaqe të tëra toke bujqësore të zhytura nën ujë, duke dëshmuar për pasojat shkatërruese të kësaj situate të rëndë hidrometeorologjike.