21 Janar 2026 13:08

Kurti dhe me mbi 50% provokon: Ekziston mundësia reale për zgjedhje të reja nëse nuk zgjidhet presidenti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ekziston jo vetëm një mundësi teorike, por edhe praktike që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje, në rast se Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues.

Në një intervistë për KosovaPress, Kurti tha se përparësi duhet t’u jepet konstituimit të Kuvendit, formimit të qeverisë dhe miratimit të buxhetit për vitin 2026, para se të hapet çështja e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, afati i fundit për zgjedhjen ose rizgjedhjen e presidentit është 4 marsi dhe, nëse deri atëherë nuk miratohet buxheti, vendi nuk do të ishte i përgatitur as për zgjedhje të reja.

“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim ose ta rizgjedhim presidenten, ekziston mundësia reale që vendi të shkojë në zgjedhje. Por në një situatë të tillë duhet të jemi të përgatitur, duke e pasur buxhetin e votuar. Nuk është e shëndetshme të flasim për hapin e katërt pa i kaluar siç duhet tre hapat e parë”, tha Kurti.

Sa i përket rizgjedhjes së presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Kurti u shpreh më i rezervuar, duke theksuar se fillimisht duhet të zhvillohet një takim me të për të diskutuar interesimin e saj për një mandat të dytë. Ai nënvizoi se sigurimi i 80 deputetëve në sallë për zgjedhjen e presidentit paraqet një sfidë serioze.

“Herën e kaluar nuk arritëm t’i bëjmë as 61 vota. Tani 61 i kemi, por 80 jo. Prandaj, ky proces kërkon mbështetje edhe nga opozita”, tha Kurti, duke shtuar se miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare mund të shërbejë si test për bashkëpunimin e mundshëm ndërpartiak.

Duke folur për opozitën, veçanërisht për LDK-në, Kurti tha se nuk është e qartë se çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë opozitare në muajt në vijim, duke përmendur qasjen bllokuese që, sipas tij, ka karakterizuar vitin 2025.

Formimi i qeverisë pas certifikimit të rezultateve

Kurti bëri të ditur se formimi i qeverisë së re do të ndodhë menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ai theksoi se vendimi më i rëndësishëm në fillim të mandatit do të jetë miratimi i buxhetit për vitin 2026.

Sa i përket bashkëqeverisjes, Kurti tha se prioritet do t’u jepet partive të komuniteteve jo-shumicë, jo-serbe, me të cilat ka bashkëpunuar edhe më herët. Ai nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me subjekte të tjera opozitare, veçanërisht për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë fondet e Bashkimit Evropian dhe Bankës Botërore.

Në lidhje me kabinetin qeveritar, Kurti tha se nuk priten ndryshime të mëdha, por se përbërja përfundimtare do të përcaktohet pas konsultimeve brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe me partnerët e koalicionit, duke marrë parasysh edhe rezultatin individual të kandidatëve në zgjedhje.