Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar një fitore bindëse në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, duke dalë forcë e parë politike me mbi 49 për qind të votave, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Me mbi 430 mijë vota të fituara, LVV-ja ka shënuar rritjen më të madhe krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, duke u rritur për rreth 7 për qind, pa përfshirë ende votat e diasporës, ato me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Ky rezultat ia mundëson Vetëvendosjes që ta formojë e vetme qeverinë, me mbështetjen e komuniteteve joshumicë joserbe. Me rreth 50 për qind të votave, LVV-ja ka siguruar 57 mandate në Kuvend, nentë më shumë se në zgjedhjet e shkurtit.
Në vendin e dytë është renditur Partia Demokratike e Kosovës me mbi 21,00 për qind apo rreth 184 mijë vota, duke shënuar një rritje të lehtë prej rreth 1 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës ka pësuar rënien më të madhe, duke marrë 13,79 për qind të votave, përkatësisht rreth 118 mijë vota, pesë mandate më pak se në zgjedhjet e fundit. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kaluar pragun zgjedhor me 5,74 për qind dhe ka siguruar 6 ulëse, ndërsa Nisma Socialdemokrate ka mbetur nën prag me 1,72 për qind.
Lista Serbe ka deklaruar se i ka fituar të gjitha 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb, duke marrë rreth 90 për qind të votave të këtij komuniteti. Ndërkohë, partia e Nenad Rashiqit ka siguruar mbi 11 për qind të votave serbe dhe pritet të mbajë një ulëse në Kuvend.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 44,59 për qind, me mbi 899 mijë qytetarë që kanë votuar brenda Kosovës. Vetëvendosje ka dalë parti e parë në 24 komuna, përfshirë edhe disa bastione tradicionale të opozitës.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, e ka cilësuar rezultatin si fitoren më të madhe në historinë e vendit dhe ka deklaruar se institucionet do të formohen shpejt pas certifikimit të rezultateve. Ai ka ftuar partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend, veçanërisht për marrëveshjet ndërkombëtare dhe proceset e rëndësishme shtetërore.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka marrë përgjegjësinë për rezultatin e dobët të partisë së tij dhe nuk e ka përjashtuar dorëheqjen, duke paralajmëruar thirrjen e Kuvendit të partisë për reflektim. Procesi zgjedhor është vlerësuar përgjithësisht i qetë, me disa parregullsi procedurale dhe pesë raste penale të iniciuara, por pa incidente serioze që do ta cenonin integritetin e zgjedhjeve.
Rezuletatet preliminare zyrtare KQZ

