𝐙𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐣𝐞𝐭 𝐩𝐚𝐫𝐥𝐚𝐦𝐞𝐧𝐭𝐚𝐫𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐮𝐝𝐡ë𝐡𝐞𝐪𝐣𝐚 𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭ë𝐫𝐨𝐫𝐞
Nga Ibrahim Shala, politolog dhe ekspert i sigurisë
Në sistemin demokratik shumë partiak të demokracisë euro amerikane, zgjedhjet parlamentare mbahen zakonisht në çdo katër vjet. Sistemi është i ndarë në dy pjesë që nga zgjedhjet paraprake, në pozitë dhe opozitë. Këto zgjedhje janë një rast i mirë kurë votuesit, konkretisht popullata e moshës madhore ka mundësi të vendosë për qeverisjen e vendit për katër vjetët e ardhshme dhe përmes tyre të përcaktojë drejtuesit e ardhshëm të shtetit. Në kohën e internetit, medias sociale dhe inteligjencës artificial edhe fushatat parazgjedhore kanë ndryshuar. Është mundësuar falsifikimi i të vërtetave, shtrembërimi i tyre, fantazia të paraqitet si realitet përmes video montazheve, shpërndarja e lajmit të rremë është e shpejtë, kurse përgënjeshtrimi gati i paefektshëm. Prandaj në fushën e informacionit, qytetari duhet të bazohet në faktet e kapshme dhe të verifikueshme nga ai, të bazohet në intuitën e tij që nuk e ka mashtruar as më parë, me qëllim që të jetë i saktë dhe i drejtë kurë vendos për qeverisjen e ardhme, për jetën e vet dhe vendin e vet. Ai nuk duhet të ketë nguti, gjithsecili duhet të bëjë analiza në kapacitetin e vet, duke krahasuar realitetin me propagandën, shpifjen me të vërtetën e dukshme dhe le të vendos me bindje për vete dhe për vendin, duke e zgjedhur dhe votuar liderin dhe partinë, që më së shumti e përmbushin vizionin e tij personal.
𝐌𝐞𝐫𝐢𝐭𝐚𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐯𝐥𝐞𝐫𝐚𝐭 𝐧ë 𝐬𝐡𝐨𝐪ë𝐫𝐢
Vlerësimi i njerëzve në shoqëri e sidomos në fushata para zgjedhore, çdo herë është sfidues dhe kompleks, ata kryesisht vlerësohen në bazë të meritave dhe vlerave që kanë në shoqëri. Meritat janë veprimet e njerëzve për një punë të mirë, që ka dhënë efekte pozitive shoqërore, për të mirën e ekipit, grupit, kombit ose njerëzimit. Lojtari i mirë i futbollit që siguroi fitoren për ekipin kombëtar, është meritor që e qoi ekipin në finale. Johan Gutenmbergu është meritor që e shpiku shtypshkronjën, Aleksandër Flemingu është meritor që e shpiku penicilinën. Po ashtu për çlirimin e vendit meritor janë ushtarët e UÇK-së, dëshmorët e kombit dhe të gjithë ata që sakrifikuan në luftën çlirimtare. Meritat janë aktet e mëdha që kanë bërë njerëzit brenda një kohe të caktuar, ose veprimtari që u dihet fillimi dhe përfundimi, ata që për kohën kanë bërë ndryshimin e madh e që kanë lënë gjurmë. Njerëzit që kanë ngelë gjallë pas këtyre kontributeve të mëdha, gjithmonë janë sfiduar nga vazhdimi i më tejmë i jetës, janë sfiduar nga nevoja e dëshmisë së vlerave. Në jetën normale morali shoqëror ka kërkuar, që këta njerëz të jenë të mëdhenj edhe në jetën e përditshme, për të dëshmuar se kanë vlera të larta njerëzore. Vetëm heronjët dhe dëshmorët, meritat dhe vlerat i shkrijnë bashkë për gjithmonë.
Në historitë e kombeve, në shoqëritë që kanë kaluar situata të rëndësishme historike, njerëzit meritor për këto kontribute, pasi bëheshin drejtues të vendit, për më tej nuk qanin kokën për vlera shoqërore. Në rrethanat e reja ata donin mirëqenien personale, pasurimin dhe dominimin e të tjerëve deri në nënshtrim. Këta njerëz nga deliri i madhështisë dhe lakmia personale tjetërsohen, për më keq edhe nuk e pranojnë tjetërsimin, devijimi i tyre fillon kur në vazhdimësi përpiqen, që meritën e dikurshme ta shesin për vlerë dhe kredi të pashtershme. Për këtë shitje të meritave në vend të vlerave, nuk janë fajtor vetëm ata, sepse oreksi është rritur duke ngrënë, fajtor është populli që e hanë këtë stërshitje, që e pranon këtë ndërrim të meritës së kaluar me vlerë të sotme. Populli gjithmonë duhet të jetë kritik dhe mos ta hajë sapunin për djathë, sepse ai sot është i emancipuar dhe nuk i mungon informacioni. Por më fajtor se populli, se qytetarët e zakonshëm, janë patriotët e shkolluar dhe klasa intelektuale, që nuk ju shpjegojnë njerëzve gjërat e kamufluara, jo duke i thjeshtuar, por duke i bërë të kuptueshme për të gjithë, duke qartësuar rrugën e duhur të interesit kombëtar dhe shtetëror. Të dyja këto qasje që janë shumë të ndërlidhura, janë fenomene që përbëjnë thelbin e sistemit të vlerave në shoqëri.
𝐙𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐣𝐞𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐬𝐢𝐬𝐭𝐞𝐦𝐢 𝐢 𝐯𝐥𝐞𝐫𝐚𝐯𝐞 𝐧ë 𝐬𝐡𝐨𝐪ë𝐫𝐢
Një komb dhe një shtet nuk e ka krizën më të madhe kur ka krizë ekonomike, as kur situata e sigurisë është e brishtë, një komb është duke e kaluar gjendjen më të rëndë, kur sistemin e vlerave shoqërore e ka në krizë, kur qytetari nuk e di çka është më e mirë dhe më e drejtë në rrethanat e caktuara. Shkenca dhe shtetet me traditë sistemin e vlerave e kanë rregulluar më herët, dhe ne shqiptarët nuk duhet të zbulojmë ujët e ngrohtë nga e para. Piramida e sistemit të vlerave në situata normale dhe shtetet stabile është e ndarë në dy shtylla, për qytetarin dhe për shtetin, që janë vlerat bazë dhe vlerat plotësuese: “Sidoqoftë, për qëllime praktike, 8 vlerat bazë (fuqia, pasuria, respekti, ndershmëria, mirëqenia, dituria, aftësia dhe afeksioni) dhe 6 vlerat plotësuese (sigurimi, liria, integriteti, dinjiteti, legjitimiteti dhe harmonizimi i perceptimeve) janë në thelb të shumicës së interesave e të politikës që bazohet në interesin e që kanë rëndësi për çështjet ndërkombëtare”. /Karl Dojç. 1994. Analiza e Marrëdhënieve ndërkombëtare. Botim i tretë. Tiranë. Shblu. f. 19./ Kuptohet qartë se kur është fjala për shtetin tri janë vlerat kryesore: siguria, liria dhe integriteti, vlera dhe renditja e tyre nuk guxojnë të ndryshojnë. Vendi ndodhet në krizë të rëndë në momentin kur piramida e sistemit të vlerave kthehet me kokë poshtë, atëherë kur jo meritorët dhe njerëzit pavlera imponohen si liderë dhe drejtues. Kur barazohet i miri me të keqin, trimi me frikacakun, besniku me të pabesin, patrioti me tradhtarin, i dituri me të pa diturin, spiuni me patriotin, hajni me të ndershmin, i moralshmi me të pa moralshmin, njeriu i sakrificës me përfituesin, punëtori me pa punëtorin, i varfëri me të pasurin, e bardha me të zezën, e kështu me radhë.
Kaosit të vlerave për më tej i kontribuon mos ndëshkimi i shpifjes publike, media dhe portalet që mbrojnë shpifjen duke u thirrur në të drejtën e lirisë së shprehjes dhe mbrojtjen e burimit të informacionit, pa i dhënë mundësinë e ballafaqimit të rrenës me të vërtetën, relativizmi i së vërtetës ngatërron gjuhën e komunikimit brenda kombit, i hap rrugë tensionimit të brendshëm në mes kundërshtarëve politik. Të gjitha këto fenomene dëmtojnë shoqërinë dhe shtetin sepse ia imponojnë popullit një moral të rrejshëm, një gjendje shpirtërore që të mos ketë besim në asgjë, as në vlerat me të cilat ka mbijetuar me shekuj, sa të arrijë në atë gjendje që mos ta gjejë rrugën në oborr. Vetëm kështu përfitojnë ata që nuk ia duan të mirën kombit dhe vendit, qofshin keqbërës të brendshëm apo të jashtëm.
Të gjitha këto veti janë tregues të vlerave të njeriut në shoqëri, janë ato cilësi që duhet të dëshmohen gjatë tërë jetës, ato nuk janë një akt i izoluar, nuk janë në kohë të kufizuara sikur meritat. Përfundimi logjik është se drejtues të shtetit dhe vendit e meritojnë të jenë në çdo rrethanë, vetëm ata individ që në vete mbartin vlerat kryesore të kombit tonë, ato vlera që na bëjnë të jemi të ndryshëm dhe më të mirë nga të tjerët.
Ç𝐟𝐚𝐫ë 𝐝𝐫𝐞𝐣𝐭𝐮𝐞𝐬 𝐢 𝐝𝐮𝐡𝐞𝐧 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢𝐭 𝐬𝐨𝐭?
Në një situatë të ngërçit politik dhe të krizës morale, në sistemin demokratik pluralist mekanizmi më i mirë i mundshëm, për të marrë kthesën për mirë janë zgjedhjet parlamentare. Kur votuesi e ka kuptuar gjendjen e ngërçit dhe bllokimit të qeverisjes së shtetit, kur i ka identifikuar edhe shkaktarët e saj, atëherë duke u bazuar në intuitën e përvojës ai duhet të zgjedhë më të mirët, ata që kanë dhënë prova në të kaluarën dhe që sot janë në drejtimin e duhur. Po e ritheksojmë se zgjedhjet parlamentare janë mekanizmi i vetëm demokratik që mund të ndërrojnë garniturën drejtuese të shtetit përmes votimit, prandaj zgjedhjet parlamentare gjithmonë janë mundësi e jashtëzakonshme për më mirë. Po sot çfarë drejtues i duhen Kosovës, pasi që nga përfundimi i luftës çlirimtare e kemi konfliktin e hapur në shumë fusha me Serbinë? Kur kemi një dialog të vazhdueshëm të imponuar nga ndërkombëtarët, duke i ofruar Kosovës herë karotën e herë shkopin.
Në situatën kur Serbia përsërit vazhdimisht kërkesën për kompromise të reja nga ky dialog, kur vazhdimisht shprehet se Kosova është Serbi, dhe për të realizuar këtë objektiv të rikthimit përmes Veriut të Kosovës, ka bërë sulme të armatosura në territorin e Kosovës, si rasti i Banjskës me 24 shtator 2023, kur bënë vepra terroriste subversive sikur hedhje në erë e kanalit Ibër – Lepenc me 29 nëntor 2024 dhe shumë plane të tjera që ju kanë djegur para se të vepronte. Në këto rrethana me kërcënim të përhershëm nga Serbia, kuptohet se Kosovës nuk i duhen drejtues të shtetit, që në emër të fqinjësisë së mirë me pushtuesin dhe xhelatin e kombit tonë, si pa të keq thonë “Serbisë duhet ti ofrohet tavolinë suedeze, le të merr çka të dojë, të qetësohemi njëherë me Serbinë dhe pastaj mund të zhvillohemi si Kosovë”. Kosovës nuk i duhen liderë që pranojnë edhe dëmtimin e Kosovës, me kushtin e turpshëm që vetëm Albin Kurti të mos jetë në qeveri, këto qëndrime dhe kjo veprimtari janë anti kombëtare dhe antishtetërore. Kjo është frymë anti shtet dhe kapitulluese, drejtues që përfaqësojnë këtë vijë politike nuk i duhen Kosovës, as sot e as nesër. Kosovës i duhen drejtues të vendit që e forcojnë shtetin, që forcojnë strukturat e sigurisë për të mbrojtur vendin, drejtues që nuk i nënshtrohen presionit, që nuk kanë biografi të lëndueshme dhe që nuk i nënshtrohen shantazhit me asnjë çmim.
𝐀𝐥𝐛𝐢𝐧 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢 𝐥𝐢𝐝𝐞𝐫 𝐢 𝐝𝐮𝐡𝐮𝐫, 𝐧ë 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢𝐧 𝐝𝐡𝐞 𝐤𝐨𝐡ë𝐧 𝐞 𝐝𝐮𝐡𝐮𝐫
Në këtë drejtim dëshmi të pa kontestueshme ka dhënë Kryeministri i Qeverisë së Kosovës dhe Kryetar i LVV-së Albin Kurti, prandaj është momenti që në këto zgjedhje vota ti jepet atij. Të fuqizohet vendimmarrja e tij në qeverinë e ardhshme, duhet të votohet edhe nga ata që kanë hezituar, edhe nga ata që nuk kanë dalë në votime në zgjedhjet e kaluara, duhet ta votojnë edhe të rinjtë që kanë fituar të drejtën e votës në muajt shkurt – dhjetor gjatë këtij viti. Zgjedhjet parlamentare çdo herë janë të rëndësishme, por kësaj here janë më të rëndësishme për shkak të situatës së sigurisë në vend, në Ballkan dhe regjion. Kjo pasiguri vjen nga ndikimi i luftës në Ukrainë, dhe nga përpjekjet e Serbisë të përfitojë nga kjo rrethanë, qoftë përmes kërcënimit direkt, qoftë përmes gatishmërisë së rreme për bashkëpunim me Evropën dhe SHBA-të në dëm të Kosovës. Prandaj Kosovës i duhen liderë të fortë, burrështetas të vërtetë, njerëz me moral dhe integritet të fortë. Përkundër faktit se disa politikan matrapaz thonë se politika nuk ka moral, por ka vetëm interesa, në fakt politika ka moral edhe shumë, por janë ata vetë që nuk kanë moral. Liderë që vënë interesin personal mbi interesin e Atdheut dhe të shtetit nuk i duhen Kosovës.
Prandaj në qasjen për të zgjedhur njeriun e duhur, çdo herë janë me rëndësi virtyti i liderit të shtetit dhe vizioni që ai ka për vendin, bashkë me vendosmërinë dhe guximin për të ecur përpara. “Individët janë aktorët e vetëm të vërtetë në marrëdhëniet ndërkombëtare. … Në të vërtetë, vendimet vetjake pasqyrojnë vlerat e besimit të vendimmarrësit. … Sistemet e besimit të udhëheqësve politikë ndikojnë mbi mënyrën se si ata e interpretojnë informacionin …”. /Joshua S. Goldstein.2003. Marrëdhëniet ndërkombëtare. Tiranë. Dituria. f. 170./ Kosova ka nevojë për patriotizëm shtetërorë, për liderë të fortë, të mençur dhe vizionar, krahas analizës së të dhënave dhe informacionit të kohës, që sheh shumë më larg se bashkëkombësit dhe që beson në atë që sheh, sepse përvoja dhe intuita ja ka dëshmuar se ka pasur të drejtë në përcaktimet e tij, pavarësisht që ato nuk kanë qenë të lehta dhe të shpejta. Prandaj Kosova në këto rrethana të turbullta dhe kërcënuese, ka ende nevojë që ta ketë Albin Kurtin në krye të shtetit, ta ketë edhe një mandat për Kryeministër, që ta bëjë Kosovën shtet të së drejtës, shtet të zhvilluar dhe të fuqishëm. Vota për Albin Kurtin në këto zgjedhje është votë për Kosovën, është votë për shtet, është votë për integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

