Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot pati nderin të presë zonjën Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, e cila ndodhet në Shkup për një vizitë zyrtare.
Bisedimet u zhvilluan në një ambient pozitiv dhe konstruktiv. Gjatë këtij takimi, u trajtuan çështje thelbësore si zhvillimet aktuale rajonale, impakti i diplomacisë shqiptare në fuqizimin e lidhjeve kombëtare, si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional. Fokusi ishte te shërbimi i interesave të përbashkëta të Republikës së Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo, duke ndihmuar në realizimin e objektivave të përbashkëta.
Për të shprehur respektin dhe mirënjohjen e tyre, Ministrja Spiropali dhe Kryetari Mexhiti bënë homazhe me lule pranë bustit të heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ky veprim ishte një nderim ndaj vizionit largpamës të prijësit tonë historik për orientimin euroatlantik të shqiptarëve. Me këtë rast, ata përsëritën bindjen e patjetërsueshme se e ardhmja e kombit shqiptar qëndron brenda Bashkimit Evropian, i cili simbolizon një bashkësi vlerash demokratike dhe një model të suksesshëm të integrimit kulturor, politik dhe institucional për të gjithë popujt e kontinentit.
“Bashkë me znj. Elisa Spiropali, ndaluam në Sheshin që mban emrin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Pranë bustit të tij, vendosëm lule, duke shprehur respektin tonë ndaj historisë sonë të përbashkët dhe ndaj figurës që mishëron identitetin, qëndresën dhe unitetin shqiptar. Ishte moment që na kujton se vlerat mbi të cilat është ndërtuar rruga jonë kombëtare duhet të mbeten udhërrëfyes edhe sot, në kohë sfidash dhe përgjegjësish të reja” shkruan Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti në profilin e tij zyrtar ne Facebook.
Qëndrimi i zonjës Spiropali në Çair shërbeu gjithashtu si një dëshmi e qartë e afërsisë politike, e mbështetjes institucionale dhe e interesimit të drejtpërdrejtë të shtetit shqiptar për shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Ky takim dëshmoi përkushtimin e përbashkët për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe koordinimin ndërinstitucional, duke vënë theksin te zhvillimi, integrimi dhe ruajtja e vlerave të përbashkëta që na lidhin si kombe dhe si shtete sovrane.

