Nga Jeton Shasivari
Gazetarja e mirënjohur dhe producentja e parë shqiptare nga Shkupi si dhe kolege avokate Dijana Toska e prekur nga deklarata e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Elisa Spiropali për reciprocitetin në trajtimin e minoriteteve, ku shqiptarët në Maqedoninë e Veriut i përmendi në të njëjtën fjali me pakicën maqedonase në Shqipëri, kërkoi sqarim të menjëhershëm dhe zyrtar nga institucionet e shtetit shqiptar.
Nuk bëhet fjalë as për lapsus, as për mosdije, e as për ndonjë ndryshim të politikës zyrtare shqiptare.
Bëhet fjalë për zbatim të së drejtës ndërkombëtare të Këshillit të Evropës dhe të drejtës kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.
Kërkesa e gazetares Toska nuk duhet drejtuar Shqipërisë por, LSDM-së, BDI-së dhe PLD-së, sepse këto tri parti politike si koalicion qeveritar para 21 viteve respektivisht më 16 prill 2004 nëpërmjet Ministrit të Punëve të Jashtme Ilinka Mitreva në Këshillin e Evropës kanë depozituar deklaratë mbi Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (e ratifikuar nga Republika e Maqedonisë në vitin 1997) ku thuhet se, duke iu referuar Konventës Kornizë dhe duke marrë parasysh ndryshimet e fundit në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë paraqet deklaratën e rishikuar për të zëvendësuar dy deklaratat e mëparshme mbi Konventën e lartpërmendur: termi “pakica kombëtare” i përdorur në Konventën Kornizë dhe në dispozitat e së njëjtës Konventë do të zbatohet për qytetarët e Republikës së Maqedonisë që jetojnë brenda kufijve të saj dhe që janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom dhe popullit boshnjak. (Për më tepër linku me statusin e ditës së sotme:
Edhe përkundër asaj se, askund në tekstin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001, e as në ndryshimet kushtetuese të vitit 2001 nuk përmendet fare termi: pakicë kombëtare (por termi: komunitete që nuk janë shumicë) si dhe në Komitetin për marrëdhënie midis komuniteteve që përbëhet prej 19-të anëtarëve prej të cilëve nga shtatë anëtare nga radha e deputetëve maqedonas dhe shqiptarë të Kuvendit (pra, përfaqësimi me paritet të barabartë midis maqedonasve dhe shqiptarëve në Dhomën “e dytë” joformale të popujve – Amendamenti i XII-të kushtetues i vitit 2001) megjithatë pushteti i atëhershëm i vitit 2004 edhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit edhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2001 i betonoi me statusin e shqiptarëve si pakicë kombëtare edhe atë me “tapi ndërkombëtare dhe kushtetuese” sipas të drejtës ndërkombëtare të Këshillit të Evropës dhe të drejtës kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.
Për ata që mund të pyesin përse në vitin 2004 është depozituar kjo deklaratë qeveritare deri te Këshilli i Evropës, përgjigjja është e thjeshtë: sepse deri në vitin 2004 ishte afati i fundit i realizimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Nëse nuk kujdesemi për veten, Shqipëria nuk ia del dot!

