18 Janar 2026 00:32

Anita Topolova Isajlovska u zgjodh u.d. kryeprokurore

Këshilli i Prokurorëve Publikë, në mbledhjen e tij të zhvilluar ditën e sotme, ka përzgjedhur ushtruesen e detyrës së Prokurorit të Shtetit.

Ky post do t’i besohet Anita Topolova Isajlovskës, e cila vjen në vend të Lubço Kovevskit, ky i fundit dha dorëheqjen e tij të parevokueshme më 17 dhjetor.

Zgjedhja e Topolova Isajlovskës, e cila prej kohësh ka shërbyer si zëvendëskryeprokurore, u bë me votim unanim nga anëtarët e Këshillit, duke konfirmuar besimin e tyre në aftësitë e saj. Mbledhja e Këshillit të Prokurorëve Publikë për caktimin e një ushtruesi detyre në krye të prokurorisë, pas largimit të Lupço Kocevskit, ishte pritur të mbahej më herët. Mbledhja e javës së kaluar, e cila kishte në rend dite zgjedhjen e pasardhësit të përkohshëm të Kocevskit, u shty për shkak të mungesës së një prej anëtarëve të rëndësishëm të Këshillit.

Konkretisht, mungesa e anëtares Jelena Dogazanska Koleva bëri që prokurori Ermon Neziri të propozonte shtyrjen e vendimit, duke argumentuar rëndësinë e çështjes dhe nevojën për një përbërje të plotë për të marrë një vendim të tillë madhor. Ky propozim u pranua me unanimitet nga të gjithë pjesëmarrësit. Ish-prokurori publik i shtetit, Lupço Kocevski, njoftoi dorëheqjen e tij të paprapsueshme nga funksioni më 17 dhjetor, pikërisht ditën kur Kuvendi pritej të shqyrtonte kërkesën e Qeverisë për shkarkimin e tij.

Ai theksoi se e kishte ushtruar detyrën me ndershmëri dhe dinjitet, por se vendimi i tij erdhi si pasojë e asaj që ai e quajti “mosrespektim i dukshëm i parimeve mbi të cilat mbështetet shteti ligjor”. Kocevski e përshkroi propozimin për largimin e tij si një vendim me sfond politik. Ai ishte pjesë e sistemit prokurorial që nga viti 2008 dhe ishte emëruar prokuror publik shtetëror nga Kuvendi më 13 shkurt 2024, pas zgjedhjes nga Këshilli i Prokurorëve Publikë më 18 janar 2022.

Pozita e ushtruesit të detyrës së prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut rregullohet nga neni 25, paragrafi 4 i Ligjit për Prokurorët Publikë, dhe personi përzgjidhet nga radhët e prokurorëve ekzistues të Prokurorisë Publike të vendit.

Ky rol do të ushtrohet deri në caktimin e një prokurori të ri të shtetit, me një afat maksimal prej gjashtë muajsh. Procesi i përzgjedhjes së prokurorit të përhershëm përfshin një shpallje publike nga Kuvendi, me një afat 15-ditor për aplikime.

Më pas, Qeveria duhet të marrë mendimin nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për të gjithë kandidatët, ku Këshilli ka 15 ditë për të dhënë një mendim të arsyetuar. Në rast se Këshilli nuk ofron mendim për asnjërin nga kandidatët, Qeveria nuk mund të procedojë me propozimin dhe Kuvendi do të duhet të shpallë një konkurs të ri.