Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka komentuar sot para gazetarëve çështjen e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, duke mohuar se ai është arratisur nga drejtësia.
Sipas Ahmetit, Grubi ka kaluar kufirin shtetëror përpara se autoritetet kompetente të aktivizonin listën e ndalimit. “Artani nuk është arratisur. Pasi ka kaluar kufirin, më pas është hapur ‘stop-lista’.
“Nuk marr përsipër të jem avokat e të mbroj as Artan Grubin e as Përparim Bajramin, por kërkoj transparencë dhe jo drejtësi selektive,” deklaroi Ahmeti gjatë takimit me gazetarët në Reçicë.
Ndërkohë, institucionet e drejtësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë ta konsiderojnë Artan Grubin të pakapshëm. Ai është larguar nga vendi më 15 dhjetor 2024 dhe që nga ajo kohë nuk është kthyer. Fillimisht, përmes një postimi në Facebook, Grubi kishte njoftuar se po udhëtonte jashtë vendit për një vizitë private, por mungesa e tij e vazhdueshme ka ngritur dyshime serioze. Artan Grubi kërkohet me fletarrest ndërkombëtar, së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajramin, në kuadër të rastit të njohur si “Lotaria”.
Gjykata ka caktuar ndaj tyre masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë mbi 8.2 milionë euro. Akuzat lidhen me veprën penale “mashtrim në shërbim”, sipas nenit 354 të Kodit Penal, e cila parashikon dënim minimal prej katër vjetësh burg. Në fund të vitit 2024, Artan Grubi, së bashku me gjykatësin Enver Bexheti, u përfshi edhe në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore, konkretisht për përpjekje për të ndikuar në rastin e Sasho Mijallkovit.
Pas deklaratave të fundit të Ali Ahmetit, nuk përjashtohet mundësia që Prokuroria e Shtetit ta ftojë liderin e BDI-së për sqarime lidhur me njohuritë e tij mbi vendndodhjen e Artan Grubit, i cili tashmë një vit është në arrati nga drejtësia.

