21 Janar 2026 13:17

Lamtumira e fundit për ushtarin e lirisë Bashkim Manin dhe zhveshja morale e politikës

Dje, nën qiellin e Haraqinës legjendare, nuk u varros vetëm një luftetar lirie .

Dje u mat ndërgjegjja jonë.

E pashë tokën të hapet për ta marrë njërin prej nesh.

Jo një emër.

Jo një titull.

Por Bashkim Manin shokun tim të idealit, ushtarin e orëve kur frika ishte më e zhurmshme se armiku, njeriun që kurrë nuk pyeti “çfarë fitoj”, sepse e dinte se atdheu nuk negociohet dhe se liria kolektive kërkon sakrificë personale.

Kur mbylli sytë, nuk u mbyll vetëm një jetë.

U mbyll një kapitull i pastër, i pashkruar me interesa, i paarkivuar në dosje karriere.

Ne mbetëm me një dhimbje që nuk kërkon fjalime, sepse fjalët janë të vogla për humbje të mëdha.

Kur ikën një ushtar i vërtetë, heshtja bëhet gjykatë.

Aty, mbi bregoren ku dikur krisma e lirisë ishte ligj moral, nuk më dhembi vetëm varri i Bashkimit.

Më dhembi heshtja e atyre që duhej të ishin aty.

Sepse ka mungesa që peshojnë më rëndë se vdekja.

Munguan ata që sot jetojnë politikisht mbi emblemën që Bashkimi e mbante në krah e ne zemer deri sa ajo pushoi pa i mbushur të 50 tat.

Munguan ata që sakrificën e kthyen në kapital, luftën në CV, gjakun në dekor.

Ata vijnë vetëm kur u duhet ushtari.

Në fushata.

Në përvjetorë.

Në fotografi.

Dje, mbi Haraqinë kishte mjegull.

Dhe ajo mjegull nuk ishte vetëm mot ishte mbulesa morale e një mungese të qëllimshme.

Në kohën kur mbi trupin e Bashkimit hidhej dheu dardan, në Shkup ricikloheshin fytyra dhe fjalë, sikur historia të ishte një poster që ndërrohet sipas sezonit.

Ndërsa këtu, një luftëtar i vërtetë u përcoll pa dinjitet institucional, sikur sakrifica e tij të kishte afat skadence.

Dhe unë pyes, jo për përgjigje, por që pyetja të shkojë drejt e në ndërgjegjen e secilit:

Ku ishin ata që flasin në emër të luftës?

Ku ishin shoqatat e luftës që ekzistojnë vetëm në letra dhe zhduken në momentin e provës? Kur duhet mbrojte dhe nderu ushtarin i lirisë!

Në Haraqinë nuk mungoi populli.

Nuk munguan shokët që bukën e ndanin në dy dhe vdekjen e prisnin bashkë.

Nuk mungoi nderi.

Nuk kishte asnjë vend të lirë njerëz nga të gjitha trevat ishin aty, sepse ideali për të cilin luftoi Bashkim Mani nuk kishte kufij administrativë.

Por munguan ata që sot kanë kolltuqe.

Sepse kolltuku nuk duron shikimin e ushtarit të thjeshtë.

Ai shikim të zhvesh nga sloganet, nga justifikimet, nga gënjeshtrat e ambalazhuara.

Bashkim Mani iku ashtu siç jetoi pa kërkuar asgjë.

Ai nuk i mbeti borxh asnjë pëllëmbe toke.

Por sot, politika që u ushqye me luftën, i mbeti borxhli vetë kuptimit të saj.

Lamtumirë, Luftetari I Lirisë Bashkim Mani.

Ti pushon i qetë në tokën që e deshe pa kushte.

Lotet me tradhtuan së nuk pata fuqi të bejë diqka më të madhe për ty!

Ti fitove përjetësinë, dhe gjithqka Qka munde. Bashim Mani historia nuk i gjykon ushtarët. Historia i gjykon ata që i përdorën. /Astrit Gashi