Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, theksoi sot se, megjithëse rreziku i urisë masive në Rripin e Gazës është larguar, gjendja humanitare mbetet tejet e ndjeshme. Ai bëri të ditur se mbi 75 për qind e popullsisë përballet me mungesë të theksuar ushqimi dhe me rreziqe kritike të kequshqyerjes. Guterres u shpreh se “zia e bukës është spostuar. Shumë më tepër njerëz kanë mundësi të marrin ushqimin e nevojshëm për të mbijetuar.”
Duke vijuar deklaratën e tij në selinë e OKB-së në Nju Jork, ai shtoi se “arritjet janë të brishta, jashtëzakonisht të kërcënuara”. Sipas parashikimeve, rreth 1.6 milionë banorë në Gaza, që përbëjnë më shumë se tre të katërtat e popullsisë, pritet të përballen me “nivele ekstreme të mungesës akute të ushqimit dhe rreziqe thelbësore të kequshqyerjes”.
Guterres përsëriti gjithashtu thirrjet për një “armëpushim të përhershëm”, duke theksuar domosdoshmërinë e shtimit të pikave të kalimit, heqjen e kufizimeve për mallrat jetike, eliminimin e burokracive të tepërta, krijimin e rrugëve të sigurta brenda Gazës, sigurimin e financimeve të qëndrueshme dhe mundësinë e qasjes pa pengesa, përfshirë këtu edhe për organizatat joqeveritare.

Klasifikimi i Integruar i Fazave të Sigurisë Ushqimore (IPC) publikoi sot përfundimet e reja, duke vënë në dukje se situata e urisë në enklavë është lehtësuar përkohësisht. Kjo ka ardhur si pasojë e uljes së intensitetit të luftimeve dhe përmirësimit të aksesit për dërgesat humanitare dhe ato tregtare të ushqimit. Megjithatë, raporti i fundit paralajmëroi se gjendja e përgjithshme në Gaza mbetet kritike. Shefi i OKB-së trajtoi gjithashtu çështjen e refuzimit të Izraelit për të kaluar në fazën e dytë të planit të armëpushimit në Gaza deri në kthimin e eshtrave të pengut të fundit të vdekur. “Është thelbësore të kalojmë në fazën e dytë dhe nuk mendoj se duhet të ketë ndonjë justifikim për ta shmangur këtë,” u shpreh Guterres.
Ai shtoi se “është shumë e rëndësishme të ecet përpara me procesin e paqes në tërësi. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për fazën e dytë; por për të siguruar që faza e parë, dhe veçanërisht armëpushimi, të zbatohen plotësisht.” Duke folur për gjendjen në Bregun Perëndimor, Guterres paralajmëroi se “nuk mund të humbim nga vëmendja përkeqësimin e shpejtë të situatës” në territorin palestinez të pushtuar nga Izraeli.
Ai theksoi se palestinezët po përballen me “dhunë në rritje nga kolonët izraelitë, konfiskime tokash, shkatërrim banesash dhe kufizime të shtuara të lëvizjes”. Guterres bëri me dije se “dhjetëra mijëra persona janë zhvendosur pas operacioneve të forcave izraelite në veriun e Bregut Perëndimor”. Përfundimisht, ai theksoi se masat e përkohshme të përcaktuara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) janë “detyruese dhe duhet të zbatohen”.

