21 Janar 2026 13:18

Me një nënshkrim, Trump i mbyll derën përgjithmonë ndarjes së Kosovës

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2026, një paketë masive prej afro 1 trilion dollarësh, pavarësisht kundërshtimeve ndaj disa dispozitave të përfshira nga Kongresi, të cilat parashikojnë ndihmë shtesë për Ukrainën dhe kufizojnë mundësinë e uljes së rolit të SHBA-së në mbrojtjen e Evropës.

Ligji autorizon shpenzime ushtarake rekord prej 901 miliardë dollarësh në vit, rreth 8 miliardë dollarë më shumë sesa kishte kërkuar vetë Trump. Dokumenti adreson çështje kyçe të sigurisë globale, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor, ku Kosova zë një vend të veçantë.

Në tekst theksohet rëndësia strategjike e Kosovës si pjesë integrale e Ballkanit Perëndimor, duke riafirmuar angazhimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon. Kosova përmendet si një nga gjashtë shtetet kyçe të rajonit, stabiliteti i të cilit lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike amerikane.

“Paqja e qëndrueshme, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor janë të lidhura drejtpërdrejt me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve të këtyre gjashtë shteteve”, thuhet në dokument.

Një ndër pikat më të rëndësishme të ligjit është edhe qëndrimi zyrtar i Kongresit amerikan ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve vlerësohet si një hap pozitiv, ndërsa theksohet nevoja për përparim të menjëhershëm në zbatimin e Aneksit përkatës. Dokumenti riafirmon se zgjidhja përfundimtare duhet të bazohet në njohje reciproke dhe kundërshton në mënyrë të qartë çdo ide për ndarje territoriale, shkëmbime tokash apo rishikim kufijsh mbi baza etnike.