Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka premtuar se Kosovës do t’i hiqen masat ndëshkuese një pjesë tani e pjesa tjetër deri në fund të janarit, tha Presidentja Vjosa Osmani.
Von der Leyen e ka quajtur vendimin për t’i hequr një pjesë të masave ndëshkuese Kosovës tani si një lajm i mirë.
Përmes një postimi në X, ajo tha se transferimi i qeverisjes lokale në veri shkoi paqësisht, dhe prandaj, ajo tha se do të vazhdohet me heqjen e masave.
Kalimi i pushtetit paqësisht në komunat e veriut ka mundësuar që Kosovës t’i ndahen edhe ndihmat financiare.
“Falë kësaj, jam e lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. Ne po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare. Dhe kemi ndërmend të lëshojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, u shpreh von der Leyen.

