Sot u mbajt seanca e parë konstituive e Kuvendit të Përgjithshëm të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), e cila shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të koordinimit dhe harmonizimit të politikave të përbashkëta të pushtetit lokal për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Gjatë punimeve të Kuvendit u zgjodhën organet drejtuese të BNJVL-së. Kuvendi miratoi përbërjen e Bordit Drejtues me 19 anëtarë, ku për kryetar u zgjodh Orce Gjorgjievski, ndërsa për nënkryetar Izet Mexhiti. Po ashtu, u zgjodh edhe Bordi Mbikëqyrës i BNJVL-së, i përbërë nga tre anëtarë.
Në kuadër të seancës, delegatët miratuan edhe Planin Strategjik të BNJVL-së për periudhën 2026–2030, si dhe buxhetin për vitin 2026, duke përcaktuar prioritetet dhe drejtimet kryesore të veprimit për vitet në vijim.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e forcimit të rolit të vetëqeverisjes lokale, rritjes së kapaciteteve institucionale dhe thellimit të bashkëpunimit ndërkomunal në fusha të ndryshme, me qëllim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe zhvillimin e qëndrueshëm lokal.

