Prokuroria ka ngritur akuza penale kundër ish-drejtorit të “Higjienës Komunale”, Sabahadin Rustemi, dhe menaxherit të mbeturinave në kompaninë, Aki Saiti, për rrezikim të mjedisit dhe natyrës përmes keqmenaxhimit të mbeturinave.
Sipas hetimeve, gjatë muajit tetor, të pandehurit kanë shkelur me vetëdije ligjin duke mos kryer detyrën bazë të grumbullimit të rregullt të mbeturinave dhe duke mos kërkuar ndryshime në Planin dhe Programin Operacional. Si pasojë, u krijuan deponi të egra rreth kontejnerëve në disa zona të qytetit.
Prokuroria thekson se Rustemi ka vepruar në kundërshtim me Statutin e ndërmarrjes dhe ka injoruar vendimet e Bordit të Drejtorëve, duke dështuar të ofrojë shërbime komunale të vazhdueshme dhe cilësore, si dhe të sigurojë mirëmbajtjen e pajisjeve dhe mjeteve të punës.
Pas përfundimit të hetimit, gjykata ka miratuar kërkesën e prokurorisë që paraburgimi i të dyshuarve të zëvendësohet me masa paraprake, ndërsa për menaxherin e mbeturinave është vendosur edhe largim i përkohshëm nga vendi i punës.
Kryetari i Bashkisë së Shkupit, Gjorgjievski, deklaroi se hetimet në “Komunalna” dhe në ndërmarrjet e tjera publike sapo kanë filluar dhe se institucionet do të kenë shumë punë për të zbardhur keqpërdorimet. Ai u shpreh i gatshëm të vërë në dispozicion të gjitha dokumentet e nevojshme.
“Qytetarët kërkojnë drejtësi. Për muaj të tërë ata u detyruan të jetonin mes mbeturinave. Kjo nuk ishte rastësi, por pasojë e mosfunksionimit dhe grabitjes së një sistemi të tërë për vite me radhë,” tha Gjorgjievski.
Ndërkohë, po zhvillohet edhe auditimi i ndërmarrjes “Komunalna”, i cili pritet të zbulojë se çfarë ka ndodhur me financat e kompanisë dhe pse arka e saj ka mbetur bosh. Megjithëse situata ende nuk është ideale, autoritetet lokale thonë se po ndërmerren hapa konkretë për përmirësim.
Nga 16 kamionë funksionalë në fillim, aktualisht janë rreth 50, ndërsa 30 të tjerë pritet të sigurohen vitin e ardhshëm. Për të rritur efikasitetin e mbledhjes së mbeturinave, nga muaji i kaluar është vendosur ndalim për hedhjen e mbeturinave në kontejnerë nga ora 22:00 deri në 06:00.


