21 Janar 2026 13:02

Vlerësim analitik i konfigurimit te parlamentit të ri

Analizat politike nuk nisem nga animet personale, diskursi militant apo deklaratat e individëve që nuk kanë njohuri funksionale mbi sistemin zgjedhor.

Nga Astrit Gashi

Kjo qasje metodologjike, e ndërtuar mbi distancë analitike, qetësi interpretative dhe kuptim të mekanizmave realë të prodhimit të votës, ka bërë të mundur që për vite me radhë Analizat e mia elektorale të rezultojnë me një saktësi mbi 95%. Analiza politike nuk është reagim emocional, por proces racional që kërkon kompetencë dhe përvojë empirike.

Parashikimi për rënien e theksuar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk përfaqëson qëndrim normativ apo dëshirë politike, por një lexim të drejtpërdrejtë të realitetit organizativ dhe elektoral të partisë. Udhëheqja aktuale, me Bedri Hamzën si figurë qendrore, nuk e ka marrë përsipër drejtimin efektiv të fushatës zgjedhore dhe vjen pas dy humbjeve të mëdha elektorale në Mitrovicë. Kësaj i shtohet prania e figurave dominuese në kryesi që veprojnë si faktorë frenues për reformimin e brendshëm të partisë. Në këto rrethana, PDK nuk ka gjasa reale për rezultat pozitiv, ndërsa tejkalimi i pragut prej 20% mbetet strukturalisht i paarritshëm. Orientimi i një pjese të elektoratit tradicional drejt Nismës e thellon këtë trend. Vetëm në komunat e Drenasit dhe Skenderajt, për shkak të përbërjes së listave, humbjet pritet të jenë mbi 5 mijë vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përballet me pakënaqësi të theksuara në strukturat drejtuese dhe me një dobësim të ndjeshëm të mbështetjes në diasporë, e cila historikisht ka qenë një burim i rëndësishëm i legjitimitetit elektoral. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), megjithëse paraqitet me një listë relativisht më konkurruese se në ciklin e kaluar zgjedhor, mbetet e kufizuar brenda një diapazoni prej 6–7%, pa potencial të dukshëm për zgjerim elektoral.

Nisma Socialdemokrate ndodhet përballë një sfide numerike konkrete: sigurimin e rreth 44 mijë votave për kalimin e pragut zgjedhor. Ky objektiv nuk është i paarritshëm dhe mbështetja për Nismën mund të interpretohet si përpjekje për ruajtjen e pluralizmit parlamentar. Megjithatë, mungesa e kujdesit në përpilimin e listave e ka vështirësuar realizimin e këtij qëllimi. Përgjegjësia kryesore i atribuohet Fatmir Limajt, i cili ka anashkaluar konsolidimin e brendshëm të partisë duke u fokusuar në koalicione politikisht të paqëndrueshme, duke pasur parasysh kundërshtimin strukturor ndaj tij brenda qendrave vendimmarrëse të PDK-së dhe LDK-së.

Në këtë kontekst, Lëvizja Vetëvendosje (VV) pritet të ruajë bazën e saj elektorale dhe ta forcojë ndjeshëm atë përmes votës së diasporës. Tubimi i Zyrihut shërben si indikator empirik i mobilizimit politik të mërgatës. Mbështetja për Albin Kurtin dhe për formimin e një qeverie njëpartiake nuk buron vetëm nga identifikimi ideologjik, por edhe nga mungesa e reformave të thella brenda partive opozitare. Nga perspektiva e funksionimit demokratik, ndëshkimi elektoral i PDK-së dhe LDK-së mund të interpretohet si mekanizëm i nevojshëm për nxitjen e reformimit të brendshëm partiak.

Në këtë prizëm, grupi drejtues i Lumir Abdixhikut në LDK, si dhe grupi politik përreth Memli Krasniqit, Uran Ismailit, Vlora Çitakut dhe Abelard Tahirit në PDK, përballen me një rrezik real të sanksionimit elektoral nga elektorati.

Ky vlerësim paraqet një analizë të konfigurimit politik para fillimit formal të fushatës zgjedhore, të mbështetur në indikatorë strukturorë, sjellje elektorale të parashikueshme dhe përvojë analitike afatgjatë.