Bruksel – Komisioni Evropian është duke përgatitur plane për heqjen e pjesshme të masave ndaj Kosovës, respektivisht 50 për qind të tyre, çka në aspektin financiar nënkupton lirimin e rreth 200 milionë eurove nga fondet e suspenduara përkohësisht. Këtë e kanë bërë të ditur burime diplomatike të BE-së.
Sipas këtyre burimeve, ky vlerësim pozitiv i Bashkimit Evropian ka ardhur pas transferimit të rregullt të pushtetit lokal në veri të Kosovës, zhvillim që pritet të përshëndetet edhe në konkluzionet që mund të miratohen të martën nga Këshilli i BE-së.
Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të mblidhen të martën në Bruksel për të diskutuar procesin e zgjerimit, ku në rend dite janë edhe konkluzionet për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit. Në draftin e konkluzioneve thuhet se Këshilli “përsërit qëndrimet e mëhershme dhe përshëndet heqjen e masave të mbetura ndaj Kosovës”, një formulim më pozitiv krahasuar me dokumentet e kaluara, megjithëse ende pa afate të qarta.
Burime diplomatike sqarojnë se Këshilli i BE-së kishte dhënë më herët pëlqimin politik për heqjen e masave, por zbatimi praktik i tyre mbetet në kompetencë të Komisionit Evropian.
Megjithatë, miratimi i konkluzioneve nuk është i sigurt, jo për shkak të Kosovës, por për shkak të çështjeve të tjera që përfshihen në dokument. Pavarësisht kësaj, fati i masave ndaj Kosovës tashmë varet kryesisht nga Komisioni Evropian.
Sipas burimeve, disa shtete anëtare nuk janë të gatshme që masat të hiqen para zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe preferojnë që procesi të zhvillohet gradualisht, ndërsa shumica e vendeve anëtare janë në favor të heqjes së menjëhershme të tyre.
Në konkluzionet për Kosovën dhe Serbinë pritet të shprehet keqardhje për mungesën e progresit në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog. Nga Kosova do të përsëritet pritshmëria për nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia do të kërkohet njohja e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës si dhe ndalja e kundërshtimit të anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare.
Po ashtu, Bashkimi Evropian do të shprehë keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për dhunën e vitit 2023, përfshirë sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, mediave dhe qytetarëve.

