SHKUP – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, ka dhënë një mesazh të prerë sa i përket debatit të fundit mbi migracionin dhe krizës në sistemin e drejtësisë.
Në një intervistë për televizionin Sitel, Aggeler bëri thirrje që çështja e migracionit të mos trajtohet si mjet për përfitime politike, ndërsa shprehu shqetësim të thellë për rënien e standardeve në gjyqësor.
Duke komentuar deklaratat e fundit të liderit të LSDM-së, Venko Filipçe i cili e prezantoi temën e migracionit si një rrezik të madh sigurie ambasadorja Aggeler theksoi se bisedimet me vendet partnere janë procese normale dhe jo domosdoshmërisht paralajmërim për politika të reja shtrënguese.
“Nuk është produktive që migracioni të shfrytëzohet për të fituar pikë politike. Edhe ne [SHBA] zhvillojmë bisedime të tilla me shumë shtete. Vetë ekzistenca e një bisede nuk do të thotë se do të ketë politika të caktuara,” u shpreh Aggeler, duke shtuar se bashkëpunimi me aleatët, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, është rruga e duhur për të përballuar këtë sfidë globale.
Një pjesë të rëndësishme të intervistës, diplomatja amerikane ia kushtoi dështimeve në sistemin e drejtësisë. Pavarësisht investimeve të shumta amerikane që nga pavarësia e vendit, Aggeler konstatoi me keqardhje se sistemi është në pikën e tij më të dobët.
“Sinqerisht, situata në gjyqësor është më e keqe se kur isha këtu herën e parë. Kjo reflektohet qartë në besimin e ulët të qytetarëve,” deklaroi ajo. Sipas saj, fajësimi i ndërsjellë mes gjykatësve, prokurorëve dhe ministrive nuk sjell zgjidhje, por është përgjegjësi e Qeverisë të ndërmarrë reforma konkrete dhe të bëjë ndryshime aty ku nevojitet.
Përkundër kritikave, ambasadorja la vend për optimizëm, duke vënë në dukje se brenda institucioneve ka ende njerëz të përkushtuar.
“Në Qeveri dhe në gjyqësor ekzistojnë njerëz që janë sinqerisht të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit,” tha Aggeler, duke bërë thirrje që këtyre individëve t’u bashkohen edhe të tjerë për të bërë “gjënë e duhur dhe të nevojshme” për të ardhmen e shtetit.

