Shkup – Protesta qytetare “Drejtësi për Çlirimtarët”, e mbajtur sot në Shkup, u zhvillua në mënyrë të qetë, dinjitoze dhe me organizim të mirë, duke përcjellë një mesazh të qartë qytetar për drejtësi dhe respekt ndaj luftës çlirimtare.
Në këtë protestë ishte i pranishëm edhe Dr. Muhamed Murtezi, Kryetar i Këshillit të Çairit dhe bashkëpunëtori më i afërt i Kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Prania e tij dëshmoi qartë se VLEN ishte aty, krah për krah me qytetarët shqiptarë nga Shkupi dhe nga të gjitha viset, në mbështetje të kërkesës për drejtësi për çlirimtarët. U theksua se protesta nuk kishte karakter partiak. Çdo tentativë për t’i dhënë ngjyra politike këtij tubimi u vlerësua si e pasaktë dhe e padrejtë, pasi protesta ishte shprehje e vullnetit qytetar dhe e ndërgjegjes kolektive.
Kjo frymë u konfirmua edhe nga falënderimi publik i z. Hysni Gucati drejtuar Kryetarit Izet Mexhiti, si shenjë mirënjohjeje për qëndrimin parimor dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj kësaj kauze të drejtë.
Dr. Muhamed Murtezi, një nga figurat më të respektuara në Çair, u vlerësua për maturinë, koherencën dhe besnikërinë ndaj parimit se drejtësia nuk negociohet, por mbrohet. Sipas pjesëmarrësve, ky parim përfaqëson një amanet kombëtar dhe një detyrim moral e fetar, që buron nga ndërgjegjja, besimi dhe përgjegjësia para historisë dhe para Zotit. Protesta u përmbyll pa asnjë incident, duke reflektuar unitet qytetar dhe dinjitet kombëtar.


