Presidenti amerikan Donald Trump ka shpërndarë të martën në rrjetin e tij social “Truth Social” një postim nga platforma X, ku pretendohet se Elon Musk ka penguar manipulimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024 duke ndërhyrë në kompjuterët e kompanisë “Dominion Voting Systems” të vendosura në Serbi.
Trump, i cili humbi zgjedhjet e vitit 2020 ndaj Joe Biden dhe që prej atëherë ka vazhduar të pretendojë për parregullsi zgjedhore pretendime që kulmuan me sulmin e 6 janarit 2021 në Kongres nga mbështetësit e tij këtë herë ka shpërndarë një mesazh nga përdoruesi i verifikuar Johnny St. Pete. Ky i fundit citon komentatorin konservator Benny Johnson, duke sugjeruar se “pronari i X-it, Elon Musk, shpëtoi zgjedhjet presidenciale të 2024-s” duke monitoruar IP adresat e vendeve të huaja dhe duke bllokuar sistemet që, sipas këtyre pretendimeve, numëronin votat jashtë SHBA-së.
“Musk e dinte se do të fitonte zgjedhjet dhe duket se kjo ndodhi sepse identifikuan sistemet dhe makineritë në vendet e huaja që do të bënin atë që pamë në 2020”, shkroi St. Pete në postimin që më pas u shpërnda edhe nga Trumpi, raportoi N1, raporton Identiteti
Vërejtje: Pretendimet e përmendura në postim nuk janë të verifikuara nga institucionet zyrtare dhe kanë shkaktuar debat të gjerë në opinionin publik amerikan.

