Nesër është dita e fundit vendimtare për subjektet politike që të deklarojnë para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Po ashtu, skadon edhe afati për partitë që nuk duan të bëhen pjesë e garës, të cilat duhet ta njoftojnë zyrtarisht KQZ-në për tërheqjen e tyre.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, paralajmëroi se çdo subjekt politik, koalicion, nismë qytetare apo kandidat i pavarur duhet të plotësojë online formularin e aplikimit për certifikim.
“Deri më 30 nëntor subjektet duhet të dorëzojnë aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme. Formulari është i vendosur në platformën elektronike të KQZ-së dhe plotësohet online”, theksoi Elezi.
Ai rikujtoi se partitë që synojnë të garojnë në koalicion duhet ta njoftojnë KQZ-në deri nesër, sipas afatit ligjor.
“Partitë politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit përmes koalicionit duhet ta njoftojnë Zyrën e Regjistrimit, Certifikimit dhe Kontrollit Financiar. Afati i fundit është 30 nëntor 2025”, deklaroi ai.
Koalicionet, sipas Elezit, mund të krijohen nga të paktën dy parti politike, ndërsa pas certifikimit, asnjë parti nuk mund të tërhiqet prej tyre deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve. Po ashtu, partitë anëtare të një koalicioni nuk mund të garojnë në një koalicion tjetër apo veçmas në të njëjtat zgjedhje.
Ndërkohë, afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë është 7 dhjetori. “Ky është një moment kyç për procesin zgjedhor, pasi subjektet politike do të zyrtarizojnë emrat me të cilët hyjnë në garë”, u shpreh Elezi.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit po hyjnë në fazën e tyre më të nxehtë dhe afatet po trokasin fort në derën e partive./IDENTITETI

