Skandali që ka tronditur kupolën qeveritare merr përmasa edhe më të mëdha.
Dosja hetimore e SPAK, që çoi në pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zbulon detaje të reja tronditëse mbi mënyrën se si dyshohet se janë manipuluar tenderat strategjikë të vendit––nga Tuneli i Llogarasë te Loti 4 i Unazës së Madhe. Sipas prokurorëve, skema e abuzimit arrin vlerën marramendëse prej 210 milionë eurosh.
Hetimet janë thelluar pas analizimit të telefonit “Blackberry” të sekuestruar ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, gjatë arrestimit të tij në pranverën e vitit 2024. Brenda aplikacionit të komunikimit të sigurt “Signal”, hetuesit zbuluan mesazhe të ndjeshme mes Berberit dhe Miranda Shkurtit, përgjegjëse e Sektorit të Prokurimeve në ARRSH.
Një prej komunikimeve kyçe daton më 11 gusht 2021, kur Berberi i shkruan Shkurtit: “Hapja e ofertave në 15 shtator, të gjitha unazat.” Shkurti i përgjigjet: “Po. Edhe po të hedhim nesër ndonjë, po në 15 shtator.” Por Berberi vijon duke theksuar: “Jo, i dua në një ditë të gjitha të hedhura.”
Më pas, gjatë procedurave për tenderat e unazës së madhe, Shkurti i dërgon Berberit fotografi me listat e kompanive garuese dhe çmimet përkatëse, duke shënuar veçmas operatorin ekonomik që pritej të shpallej fitues. Sipas dosjes, këto fotografi Berberi ia përcjell më pas Belinda Ballukut, e cila, sipas dyshimeve të SPAK, ka mbikëqyrur në mënyrë direkte proceset e tenderimit dhe shpalljen e fituesve.
Prokuroria beson se, të paktën në Lotin 4 të fituar nga bashkimi i kompanive Pevlaku, Nova dhe Euroteorema, fituesi është paracaktuar paraprakisht me dijeninë e Ballukut. Për lotët e tjerë hetimet vijojnë, ndërsa SPAK po shtrin kontrollin edhe mbi procedura të tjera të rëndësishme tenderuese të Ministrisë dhe ARRSH-së.
Hetimet janë ende në zhvillim dhe asnjë nga të përmendurit nuk ka një vendim të formës së prerë nga gjykata.

