18 Janar 2026 00:40

Partitë e djathta bllokojnë debatin për Gazën në Parlamentin Evropian

Sipas grupit të majtë në Parlamentin Evropian, shumica e eurodeputetëve kanë refuzuar kërkesën për zhvillimin e një debati mbi sulmet e fundit të Izraelit në Rripin e Gazës, njofton Anadolu.

Ky grup bëri të ditur në platformën X se kishte kërkuar debatin për shkak të raporteve mbi bombardime të pandërprera në Gaza dhe në jug të Libanit, pavarësisht shpalljes së një armëpushimi.

Nga 433 eurodeputetë që morën pjesë në votim, 173 votuan pro, 244 kundër dhe 16 abstenuan. Grupi i majtë theksoi se kundër votuan partitë e djathta dhe ato qendrore.

Seanca plenare e Parlamentit Evropian po zhvillohet në Strasburg nga 24 deri më 27 nëntor. Ndërkohë, autoritetet lokale raportuan se sulmet e fundit izraelite përbëjnë shkelje të armëpushimit të shpallur më 10 tetor dhe se që atëherë kanë humbur jetën të paktën 342 palestinezë.

Që nga tetori i vitit 2023, ofensiva izraelite në Gaza ka shkaktuar vrasjen e pothuajse 70 mijë palestinezëve, kryesisht gra e fëmijë, ka plagosur mbi 170.900 persona dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës.