Prokurori publik Ljupço Kocevski deklaroi se hetimi ndaj ish-zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi është drejt përfundimit dhe se pritet vetëm procedura e ekstradimit të tij.
Në një intervistë për “360 gradë”, ai tha se të gjitha provat, përfshirë edhe hetimin financiar, janë mbledhur, ndërsa theksoi se Prokuroria nuk ka informacion për vendndodhjen e Grubit, pasi kjo nuk hyn në juridiksionin e saj.
Ai reagoi edhe ndaj vlerësimit të Komisionit Evropian mbi nivelin shqetësues të korrupsionit në vend, duke theksuar se institucionet duhet të krijojnë kushtet e duhura për ta luftuar atë. Sipas tij, Prokuroria “po bën më shumë se çmos”, sidomos përballë rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.
Kocevski hodhi poshtë akuzat e ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski për veprim selektiv, duke sjellë si shembull rastin e fundit në Koçan ku Prokuroria ka vepruar mbi kallëzimet e Ministrisë së Brendshme. Ai sqaroi se MPB ka dorëzuar rreth 14 mijë kallëzime, ndërsa numri i përgjithshëm, përfshirë denoncimet nga institucione të tjera dhe individë, shkon mbi 20 mijë.
Pavarësisht mungesës së afërsisht 70 prokurorëve dhe ngarkesës së madhe të punës, Kocevski tha se Prokuroria po vepron brenda kapaciteteve dhe madje përtej tyre, duke marrë vendime vetëm mbi bazën e provave.

