Një protestë qytetare pritet të mbahet sot, të dielën më 23 nëntor, në kërkim të drejtësisë për Daorsa Spahinën, 25-vjeçaren nga Kosova e cila humbi jetën tragjikisht në Tetovë më 6 nëntor.
Organizatorët e protestës njoftojnë se tubimi do të nisë në ora 12:00, duke kërkuar reagim të vendosur nga institucionet kosovare dhe hetim të plotë nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
Sipas tyre, Daorsa është lënë “e pambrojtur nga institucionet e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa i bëjnë thirrje shtetit të Kosovës të angazhohet në monitorimin e rastit dhe të kërkojë transparencë të plotë. “Ne nuk ndalemi derisa të vendoset drejtësia”, thuhet në deklaratën e organizatorëve.
Policia e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se rasti po hetohet si vdekje me elementë të dyshimtë, dhe se menjëherë pas raportimit të incidentit janë kryer veprimet e para hetimore.
Sipas informacioneve zyrtare:
- Daorsa është gjetur në një objekt banimi në Tetovë pas një njoftimi në numrin e emergjencës.
- Ekipet mjekësore kanë konstatuar vdekjen në vendngjarje.
- Janë marrë deklaratat e personave të pranishëm dhe janë sekuestruar prova materiale.
- Prokuroria ka urdhëruar autopsinë dhe ekspertizat forenzike për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
- Hetimet po vazhdojnë, ndërsa policia ka theksuar se do t’i bëjë publikë rezultatet sapo të përfundojnë procedurat ligjore.

