18 Janar 2026 00:54

Ekskluzive – Plani 28-pikësh i paqes i Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Një dokument 28-pikësh, i pretenduar si plani i paqes së Presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, është publikuar nga mediat ruse dhe po qarkullon me shpejtësi në qarqet diplomatike në Kiev dhe Washington.

Deputeti ukrainas Alexei Honcharenko është i pari që konfirmoi se ky plan i është prezantuar sot Presidentit Volodymyr Zelensky, ndërsa përmbajtja e tij ka nxitur reagime të menjëhershme për shkak të koncesioneve të thella territoriale dhe politike që kërkohen nga pala ukrainase.raporton agjencia e lajmeve Al Jazeera.

Aty thuhet se Krimea, Donetsku dhe Lugansku do të njihen de facto si territore ruse, ndërsa në Kherson dhe Zaporizhia vija aktuale e frontit do të “ngrihet” dhe vendosja e trupave të NATO-s në Ukrainë do të ndalohet.

Rusia do të fitonte disa përfitime strategjike: heqje graduale të sanksioneve, rikthim në G8, marrëveshje afatgjata ekonomike me SHBA-të dhe përdorim të aseteve të ngrira për një fond të përbashkët investimesh. Një pjesë e këtyre aseteve rreth 100 miliardë dollarë do të përdorej për rindërtimin e Ukrainës, me SHBA-të që do të përfitonin 50% të fitimeve dhe BE-ja që do të kontribuonte shtesë. Parashihet gjithashtu një paketë rindërtimi të udhëhequr nga Banka Botërore, investime teknologjike dhe projekte infrastrukturore të përbashkëta.

Dokumenti kërkon që Ukraina dhe Rusia të ndalojnë ndryshimet me forcë të kufijve, të zbatojnë programe tolerance dhe të heqin masat diskriminuese, ndërsa ndalimi i ideologjisë naziste përmendet si kërkesë specifike. Centrali bërthamor i Zaporizhias do të vihej nën mbikëqyrjen e IAEA-s, me energjinë e ndarë në mënyrë të barabartë mes dy vendeve. Për çështjet humanitare, parashikohet shkëmbimi i plotë i të burgosurve, kthimi i fëmijëve dhe program i ribashkimit familjar. Ukraina do të mbante zgjedhje brenda 100 ditëve pas nënshkrimit të marrëveshjes, ndërsa të gjitha palët do të përfitonin amnisti dhe do të hiqnin dorë nga pretendimet e ardhshme juridike.

Në fund, një armëpushim i menjëhershëm do të hynte në fuqi sapo marrëveshja të nënshkruhej, e monitoruar nga një Këshill Paqeje i kryesuar nga Donald Trump. Plani, në formën e publikuar, synon të mbyllë luftën përmes ngrirjes së realitetit aktual, duke i dhënë Moskës përfitime territoriale dhe gjeopolitike, ndërsa Ukrainës i ofron garanci sigurie të kushtëzuara. Për shumë analistë, ky model i paqes do të stabilizonte përkohësisht rajonin, por me një çmim të lartë për sovranitetin ukrainas dhe rendin ndërkombëtar të pasluftës së ftohtë.

Plani me 28 pika i shpallur nga Goncharenko thotë:

  1. Sovraniteti i Ukrainës do të konfirmohet.
  2. Rusia, Ukraina dhe Evropa do të nënshkruajnë një pakt gjithëpërfshirës mossulmimi dhe mosmarrëveshjet e 30 viteve të fundit do të konsiderohen të zgjidhura.
  3. Rusia zotohet të mos sulmojë vendet fqinje dhe NATO zotohet të mos zgjerohet më tej.
  4. Shtetet e Bashkuara do të ndërmjetësojnë dialogun midis Rusisë dhe NATO-s për çështjet e sigurisë dhe deeskalimit.
  5. Ukraina do të marrë garanci sigurie.
  6. Madhësia e forcave të armatosura ukrainase do të kufizohet në 600.000 trupa.
  7. Ukraina do të përfshijë në Kushtetutë refuzimin për t’u anëtarësuar në NATO; NATO do të përfshijë dispozitë të ngjashme në dokumentet e saj.
  8. NATO nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë.
  9. Avionët luftarakë evropianë do të stacionohen në Poloni.
  10. SHBA do të marrë kompensim për garancitë e sigurisë; garancitë do të tërhiqen nëse Ukraina sulmon Rusinë. Nëse Rusia sulmon Ukrainën, sanksionet rikthehen dhe vendimi për njohjen territoriale rishqyrtohet. Bombardimi i Moskës ose Shën Petersburgut pa arsye i heq Ukrainës garancitë.
  11. Ukraina kualifikohet për anëtarësim në BE dhe merr akses preferencial në tregun evropian.
  12. Parashihet një Plan Rindërtimi për Ukrainën: fond zhvillimi, investime në teknologji dhe AI, rindërtim infrastrukture, projekte të përbashkëta gazi dhe paketa nga Banka Botërore.
  13. Rusia do të riintegrohet në ekonominë globale, sanksionet hiqen në faza; SHBA dhe Rusia nënshkruajnë marrëveshje ekonomike afatgjata dhe Rusia ftohet të rikthehet në G8.
  14. 100 miliardë dollarë fonde ruse të ngrira do të përdoren për rindërtimin e Ukrainës; SHBA do të marrë 50% të fitimeve; Evropa do të shtojë edhe 100 miliardë dollarë.
  15. Asetet e tjera të ngrira do të shkojnë në një fond investimi SHBA–Rusi dhe krijohet një grup pune për mbikëqyrje.
  16. Rusia do të forcojë politikën e mos-agresionit ndaj Evropës dhe Ukrainës.
  17. SHBA dhe Rusia do të vazhdojnë marrëveshjet për kontrollin e armëve bërthamore, përfshirë START I.
  18. Ukraina konfirmon statusin si shtet pa armë bërthamore.
  19. Centrali bërthamor i Zaporizhias do të jetë nën mbikëqyrjen e IAEA-s me prodhim të ndarë 50:50 mes Rusisë dhe Ukrainës.
  20. Të dy vendet do të zbatojnë programe tolerance: zbatimi i standardeve të BE-së për pakicat, heqje e masave diskriminuese, ndalim i ideologjisë naziste.
  21. Krimea, Donetsku dhe Lugansku njihen de facto si ruse dhe Shtetet e Bashkuara i njohin; në Kherson dhe Zaporizhia ngrirje e linjës së frontit. Rusia heq dorë nga territore të tjera; Ukraina tërheq forcat nga një pjesë e Donetskut, që bëhet zonë tampon e demilitarizuar.
  22. As Ukraina dhe as Rusia nuk mund të ndryshojnë kufijtë me forcë.
  23. Rusia nuk ndërhyn në përdorimin e lumit Dnieper dhe eksportin e grurit përmes Detit të Zi.
  24. Parashihet shkëmbim i plotë i të burgosurve, kthim i të paraburgosurve civilë dhe fëmijëve, ribashkim familjar dhe ndihmë për viktimat e konfliktit.
  25. Ukraina do të mbajë zgjedhje pas 100 ditësh nga marrëveshja.
  26. Të gjitha palët marrin amnisti dhe heqin dorë nga pretendimet e ardhshme.
  27. Marrëveshja do të jetë ligjërisht e detyrueshme dhe do të mbikëqyret nga një Këshill Paqeje i kryesuar nga Donald Trump.
  28. Armëpushimi hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes.