21 Janar 2026 13:09

Aksion policor në disa qytete, dyshohet lidhja me hetimet për zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse”

Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se policia po zhvillon një aksion të gjerë në disa lokacione në vend, raporton Identiteti. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se në kuadër të këtij operacioni është arrestuar një ish-përgjegjës i një dege të Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP), në vazhdën e një hetimi të zgjeruar.

“Punonjës të SPB-Shtip dhe DPB Koçani, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë kundër Krimit dhe nën udhëzimin e Prokurorisë Publike në Koçan, po realizojnë aktivitete operative në disa lokacione në territorin e shtetit,” njoftuan nga MPB. Autoritetet bënë të ditur se pas përfundimit të aksionit do të publikojnë detaje të plota.

Informacionet jozyrtare sugjerojnë se operacioni lidhet me zgjerimin e hetimit për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën. Thuhet se hetimet përfshijnë rreth 11 persona, disa prej të cilëve janë arrestuar. Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje dhe dhënie ryshfeti, si dhe falsifikim dokumentesh./A.Gashi