Projekti për parkingun nëntokësor në “Sheshin Skënderbeu” vazhdon pa asnjë pengesë.
Këtë e ka konfirmuar zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli, e cila përmes një reagimi në rrjetet sociale ka hedhur poshtë raportimet se procedura e prokurimit është anuluar.
Sipas saj, nuk bëhet fjalë për anulim të projektit, por për një ndërprerje teknike, të domosdoshme për të korrigjuar mospërputhjet e zbuluara në dokumentacionin e tenderit.
“Gjatë verifikimit zyrtar u konstatuan gabime të trashëguara në përllogaritje. Për t’u siguruar se gjithçka është transparente dhe plotësisht në përputhje me ligjin, dokumentacioni duhet përmirësuar para rifillimit të procedurës,” sqaroi Zekolli.
Ajo theksoi se pas korrigjimeve, tenderi do të rihapet brenda pak ditësh, ndërsa projekti mbetet plotësisht aktiv.
“Përmirësimi teknik ka vetëm një qëllim garantimin profesional dhe të qëndrueshëm,” nënvizoi zëvendësministrja.
Financimi për fazën e tretë të projektit, që përfshin edhe parkingun modern nëntokësor me mbi 400 vende, është konfirmuar edhe më herët nga kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, i cili ka bërë të ditur se Qeveria ka siguruar 25 milionë euro për realizimin e tij. Sipas Mexhitit, ky investim pritet të zgjidhë një nga problemet më urgjente urbane të Çairit dhe Çarshisë mungesën kronike të parkimeve.
Edhe Zekolli e ka cilësuar projektin si investimin më të madh në historinë e komunës së Çairit, që pritet të transformojë ndjeshëm funksionalitetin urban të zonës.
Sqarim për opinionin Lidhur me disa… – Kaltrina Zekolli Shaqiri | Facebook

