Në Shkup për dekada është luftuar për t’u dëgjuar gjuha jonë, kultura e jonë, historia e jonë. Komuna e Çairit sot po e kthen artin në akt identiteti dhe kulturën në një urë dinjiteti. Organizimi i koncertit Gala të 28 Nëntorit nuk është vetëm një mbrëmje muzike por është një dëshmi se arti shqiptar nuk njeh kufij, nuk pranon heshtje dhe nuk e ul kokën para askujt. Është një afirmim i asaj që jemi një komb i vogël në numër, por i madh në shpirt, në zë dhe në histori.
Kryetari i Komunës se Çairit Izet Mexhiti priti sot sopranon e njohur shkupjane, Dëshira Ahmeti Kërliu, duke finalizuar detajet e një mbrëmjeje që premton të ngrejë Shkupin në lartësinë e kryeqendrave kulturore shqiptare. Sepse qytetet nuk bëhen të mëdha vetëm me ndërtesa por me kulturë, me art, me zëra që i japin frymë një kombi. Pas shumë vitesh, skena e Shkupit mirëpret Inva Mulën, ikonën e operës shqiptare në botë, e cila do të ndajë skenën me Dëshira Ahmetin dhe tenorin Ismet Veselin. Tre zëra, tre horizonte, një komb. Një mbrëmje ku muzika ngrihet në nivel të lutjes dhe arti në nivel të sakrificës.
Komuna e Çairit e mbështet këtë koncert jo si protokoll, por si mision për t’i japë dhenë kulturës shqiptare vendin që meriton, të pasurojë Nëntorin tonë të shenjtë dhe të sjellë një festë që bashkon njerëzit, nderon flamurin dhe forcon identitetin. Kjo mbrëmje e jashtëzakonshme nuk është vetëm një festim i Ditës së Flamurit është një kapitull i ri në vetë historinë kulturore të Shkupit. Një kujtesë se arti është formë lirie, se kultura është dëshmi qëndrueshmërie dhe se identiteti shqiptar shkëlqen më shumë sa herë që ngrihet mbi skenë./Identiteti.info

