18 Janar 2026 00:20

Pep Guardiola me deklaratë të ashpër ndaj Izraelit

Pep Guardiola ka folur hapur për “masakrat” në Palestinë, duke lëshuar një deklaratë të fortë kundër Izraelit dhe udhëheqësve botërorë.

Të martën, stadiumi “Lluis Companys” në Barcelonë do të presë ndeshjen miqësore bamirëse ACT x Palestine mes Katalonjës dhe Palestinës, ku tashmë janë shitur mbi 25 mijë bileta. E gjithë të ardhura do të përdoren për ndihma humanitare dhe rindërtim në Gaza, pas mizorive ku, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës, rreth 70 mijë persona janë vrarë nga forcat izraelite. Konflikti u përshkallëzua në tetor 2023, kur Hamas sulmoi Izraelin duke shkaktuar 1,200 të vrarë dhe rreth 250 pengje. Më pas, ofensiva izraelite ndaj Gazës u shpall gjenocid nga një komision i OKB-së, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar një plan paqeje me 20 pika. Pavarësisht kësaj, Guardiola i ka bërë thirrje opinionit ndërkombëtar të tregojë solidaritet. “Është më shumë se një ndeshje simbolike,” tha trajneri për RAC1. “Këto ditë, të gjithë e dinë gjithçka, dhe me këtë ndeshje, palestinezët do të shohin se ka një pjesë të botës që kujdeset për ta.” Ai vijoi me kritika të ashpra: “Bota e ka braktisur Palestinën. Ne nuk kemi bërë asgjë. Ata nuk kanë faj që kanë lindur atje. Ne kemi lejuar që një popull të shkatërrohet. Dëmi është i parikuperueshëm. Nuk mund ta imagjinoj askënd që mund të mbrojë masakrat në Gaza. Fëmijët tanë mund të ishin atje. Kam shumë pak besim te udhëheqësit botërorë, të cilët mendojnë vetëm si të qëndrojnë në pushtet.” Komentet e Guardiolës vijnë në një moment kur presioni ndërkombëtar për pezullimin e Izraelit nga UEFA dhe FIFA po rritet.

Është raportuar se UEFA ishte gati të diskutonte një pezullim të mundshëm, por procesi u ndal pas publikimit të planit të paqes nga Trump. Megjithatë, Izraeli vazhdoi pjesëmarrjen në kualifikimet e Kupës së Botës, ku u rendit i treti në Grupin I me 12 pikë nga tetë ndeshje. Më shumë se 70 sportistë, përfshirë Paul Pogba dhe Hakim Ziyech, kanë firmosur një letër të hapur drejtuar presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, duke kërkuar pezullimin e Izraelit sipas precedentit të Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Federata Irlandeze e Futbollit ndërkohë thuhet se ka votuar bindshëm pro paraqitjes së mocionit për pezullim. Edhe trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, ka mbështetur këtë qëndrim, duke deklaruar se “nuk sheh asnjë dallim mes përjashtimit të Rusisë dhe mos-përjashtimit të Izraelit nga FIFA dhe UEFA.”/IDENTITETI.INFO